Një pikë për ndeshje, Kukësi shumë larg sezonit të kaluar. Dobi, me një mision të vështirë këtë fundvit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2022 | 11:16

Një pikë për ndeshje, Kukësi shumë larg sezonit të kaluar. Dobi, me një mision të vështirë këtë fundvit

Kukësi është ndër skuadrat që ka pësuar rënien më të ndjeshme këtë sezon duke e krahasuar me një vit më parë. Në fakt, kjo është nisja më e dobët në historinë e klubit, sepse asnjëherë nuk kanë qenë në kuotën e 12 pikëve në po kaq ndeshje dhe në vendin e tetë.

kukesi

Gjithsesi, krahasimet në të tilla raste bëhen me sezonin paraardhës dhe është e dukshme që kjo skuadër nuk ka asnjë lidhje me atë që drejtonte italiani Diego Longo. Kukësi aktual ka grumbulluar vetëm gjysmën e pikëve të një viti më parë, 12 pikë nga 23 të tilla që kishte në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Në të gjitha pikat ky Kukës është shumë më dobët se ai i një viti më parë. Në të vetmen gjë që ngjasojnë janë golat e pësuar, 14 të tillë.

Por, ky fakt nuk shërben ndoshta as për ngushëllim, për aq kohë sa ekipi nga ana tjetër shënon shumë më pak këtë vit. Si përfundim, Kukësi i vitit të kaluar, edhe pse pati një ecuri të mirë në gjysmën e kampionatit, në fund nuk ia doli të marrë pjesë në Europë. Këtë vit, me një ecuri shumë herë më të dobët, mbetet një mision shumë i vështirë rikuperimi i pikëve.

KTHESA – Për të rifituar terren, të gjitha shpresat tani janë te një kthesë në rezultate në pjesën e mbetur të kampionatit. Trajneri Dobi është duke vijuar përgatitjet me objektivin e vetëm të rigjejë edhe njëherë ekuilibrat në skuadër. Gjatë seancave të këtyre ditëve, trajneri ka tentuar manovrat me disa ndryshime në formacion, të cilat mund t’i sjellin një tjetër qasje në rezultate skuadrës në rinisjen e kampionatit. Dobi duket se gjeti ekuilibrat me një formacion 3-4-3, por në ndeshjet e fundit nuk kanë dhënë rezultat, ndaj po mendohet të ketë sërish lëvizje në vendosje kur të startojë kampionati. Verilindorët synojnë që kur të kthehen në fushë pas pushimeve të Botërorit të marrin 12 pikët e plota në katër ndeshje, rezultate që mund ta rifusin sërish në garë për objektivat që i kanë vënë vetes këtë sezon. Nuk është një sipërmarrje e lehtë, duke parë atë që ka treguar Kukësi deri më tani, por gjithsesi në kampin blu e shohin si mënyrën e vetme për të mbajtur gjallë shpresat sa i përket Europës.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"