Një pikë në 180 minuta, flet mesfushori i Besës: Gabuam, që të gjithë ndihemi fajtorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2021 | 14:10

Një pikë në 180 minuta, flet mesfushori i Besës: Gabuam, që të gjithë ndihemi fajtorë

Te Besa kanë arsye për t’u ndier në faj. Vetëm 1 pikë në 180 minutat e fundit, është shumë pak për një ekip që ka pretendime dhe mbi të gjitha është investuar për misionin “Superiore”. Më mirë se kushdo këtë peshë e ndien Alsid Tafili, një ndër futbollistët që ka dhënë më shumë se të tjerët dhe nuk ka pasur asnjëherë luhatje në këto 8 javë.

tafili

Larg modestisë fajëson gjithë grupin për këtë ecuri dhe nuk është aspak dakord me pikët. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai thotë: “Kemi luajtur për të marrë maksimumin ndaj Apolonisë dhe Shkumbinit. Nëse me fierakët u befasuam e nuk pranuam kurrë moralisht atë humbje, gjykoj se ndaj Shkumbinit nuk bëmë atë që mund dhe duhet të bënim. Gabuam më shumë duke qenë dy herë në avantazh.

Nuk na falen këto dy sfida dhe e them hapur se i gjithë faji rëndon mbi të gjithë ne. Pa asnjë përjashtim. Askush nuk mund të thotë, unë e bëra detyrën time, kur ekipi nuk fiton. Futbolli është lojë grupi dhe nëse dikush gabon atëherë të tjerët duhet të reagojnë fort e ta korrigjojnë atë gabim. Vërtet që detyrat i kemi të ndara, por ato funksionojnë në grup. Nëse kemi kryer detyrimet tona ashtu si duhet, nuk ka arsye për të marrë 1 pikë. Prandaj gjykoj se të gjithë duhet të shohim nga vetja, ku ka çaluar diçka në lojën tonë”.

KTHESA

Reagimi i Alsid Tafilit nuk mbetet vetëm te konstatimi. Ai shpreh dhe rrugët e mundësitë reale që ka ekipi për të kapërcyer këtë situatë. “Shpesh kemi deklaruar se në ekip kemi futbollistë me përvojë dhe kjo është një e vërtetë. E pra, kjo përvojë duhej demonstruar në fushë me rezultate. Pavarësisht se kanë ikur disa javë, kurrë nuk është vonë. Besoj se kemi mundësi dhe duhet të reagojmë patjetër.

Nuk i shkojnë këto pikë Besës, aq më shumë që realisht nuk na mungon asgjë. Nuk ka vend për ‘alibi’. Personalisht besoj se nisur nga niveli i grupit dhe lojërat që kemi mundësi të zhvillojmë, duhet patjetër të rikthehemi te fitoret. Mjaft më. Nuk na falet asnjë hap tjetër fals”, përfundoi mesfushori.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"