Një pikë larg për t’u shpallur “kampion dimri”, Dinamo nis merkaton për… portier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2022 | 11:40

Një pikë larg për t’u shpallur “kampion dimri”, Dinamo nis merkaton për… portier

Me shitjen e Simon Simonit tek Eintrahti i Frankfurtit, Dinamo është e detyruar të futet në merkato për portier. Lezhjani do të luajë ndeshjen e fundit me blutë ndaj Tërbunit dhe pastaj vendin e titullarit do ta marrë Edvan Bakaj, por skuadra ka nevojë edhe për një gardian tjetër në një kampionat të gjatë, ku objektivat janë maksimalë. Klubit do të përpiqet të përforcojë edhe repartet e tjera në janar, sulmin në veçanti.

DINAMO

LLOGARITË – Nga ky vit kalendarik ka mbetur dhe një javë për kampionatin e Kategorisë së Parë, pas vendimit të FSHF-së për të shtyrë ndeshjet e javës së 13-të.

Dinamo e mbyll kështu 2022-shin në transfertën e Pukës, ku do t’i mjaftonte edhe një pikë për të fituar titullin simbolik ‘kampione dimri’.

Blutë janë shkëputur tashmë 3 pikë nga Flamurtari i vendit të dytë dhe kuptohet që do të luajnë për fitoren e radhës ndaj Tërbunit të mërkurën e ardhshme, por edhe barazimi do ta mbante në vend të parë skuadrën e Dedes.

TRANSFERTAT – Deri tani Dinamo ka bërë paraqitje të mira në ndeshjet jashtë fushe, ku nuk ka humbur asnjëherë. Humbjen e vetme kjo skuadër e ka në shtëpi ndaj Flamurtarit rival. Dhe ky është një ogur i mirë përpara ndeshjes së fundit të këtij viti.

Kryeqytetasit kanë barazuar në Korçë me Skënderbeun, në Berat me Tomorin dhe në Peshkopi me Korabin, ndërkohë që kanë fituar në Fier ndaj Apolonisë dhe ndaj Besës në fushën asnjanëse të Peqinit, por që në kalendar llogaritet një ndeshje jashtë fushe.

Blutë do të përpiqen ta ruajnë këtë ekuilibër edhe në Pukë, aq më tepër që atmosfera në skuadër është mjaft e mirë pas fitores së fundit me Lushnjën, që solli shkëputjen në krye të tabelës së klasifikimit.

Dinamo shënoi 5 gola në sfidën e fundit dhe duket e karikuar për të vazhduar me këtë ritëm.

GJENDJA – Dinamo vazhdon të ketë mungesa, por trajneri Nevil Dede do të ketë më shumë alternativa për ndeshjen e radhës.

Së pari kthehet mesfushori Alisio Preloshi, që ndaj Lushnjës shleu pezullimin nga kartoni i kuq që mori ndaj Besës.

Një tjetër alternativë në repartin e mesfushës është kapiteni Sabien Lilaj, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen e fundit luajti në pjesën e dytë.

Mungesat janë ato të ndeshjeve të fundit, Ersil Ymeri dhe Eni Imami.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"