“Një përballje e çuditshme kundër Shehit”, Liçi dhe Jashanica: Gati ta surprizojmë Orgesin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 11:32

“Një përballje e çuditshme kundër Shehit”, Liçi dhe Jashanica: Gati ta surprizojmë Orgesin

Skënderbeu mbylli dje përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit. Një takim ky i një rëndësie dhe shkalle vështirësie të veçantë. Bardhekuqtë çuditërisht kanë zgjedhur që ndryshe nga sa ndodh zakonisht, në konferencën para ndeshjes të paraqitet ndihmëstrajneri Gentian Liçi dhe kapiteni Bajram Jashanica, dhe jo trajneri Ilir Daja.Skenderbeu goli

Për Liçin kjo ndeshje ka një shkallë vështirësie të veçantë dhe ekipi duhet të bëjë maksimumin për të dalë me sukses: “Ndeshja ndaj Kukësit normalisht që është një ndeshje me një vështirësi të lartë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe këtë faktor duhet ta shfrytëzojmë në maksimum. Normalisht që përballë kemi një kundërshtar të fortë që është pretendent për të fituar titullin në këtë sezon. Vjen nga disa takime jo të mira dhe ndoshta kjo i detyron që ndaj nesh ta kenë një finale, por është diçka që nuk na shqetëson. Do të përpiqemi të vijojmë me një tjetër paraqitje pozitive për të marrë një rezultat të mirë.

Kemi besim se do t’ia dalim, pavarësisht se kemi dilema për sa i përket formacionit. Por janë gjëra që nuk na shqetësojnë sepse tani kemi bindjen se si titullarët ashtu edhe lojtarët e stolit kanë dhënë maksimumin sa herë që janë hedhur në fushë”, theksoi Gentian Liçi.

Më pas korçari u ndal edhe te miku i tij, Orges Shehi, të cilin do ta ketë kundërshtar në këtë takim: “Është e vërtetë që në këtë mes ka një përballje speciale. Kemi shkuar mjaft mirë me Gesin sa kohë ka qenë tek ne jo vetëm si trajner, por edhe kur ishte kapiten dhe lojtar i Skënderbeut. Besoj se Kukësi është i favorizuar disi, pasi Shehi e njeh mirë ambientin në Korçë dhe shumicën e lojtarëve. Por do të përpiqemi ta vëmë në vështirësi dhe ta surprizojmë”, përfundoi Liçi.lici jashanica

JASHANICA

Për Bajram Jashanicën përballja me Shehin si kundërshtar është disi e çuditshme, duke parë se sa shumë rrugë kanë bërë së bashku. Megjithatë, pavarësisht se e “kërcënon” me humbje trajnerin e Kukësit, Jashanica nuk e fsheh dëshirën që ka pasur për t’u stërvitur nga ana e Shehit në kohën kur ishte te Skënderbeu. “Një përballje e çuditshme për mua kjo me Shehin. E them këtë, pasi sa herë kujtoj Gesin më shkojnë në mendje gjithë ato vite dominuese në futbollin shqiptar, historinë në Europë, ndeshjet nën himnin e ‘Champions’-it. Janë gjëra që jo çdokush i kupton.

Megjithatë, i uroj suksese, por në ndeshjen e ardhshme, pasi këtu do të humbë. Të them të drejtën, përtej batutave, do të kisha pasur shumë dëshirë të isha pjesë e ekipit dhe të stërvitesha nga Orges Shehi. Por, për fat të keq, unë isha larg ekipit atë sezon”, theksoi kosovari. Më tej kapiteni u ndal edhe te ndeshja e radhës, por edhe te shiriti që mban në krah, të cilin e quajti privilegj. “Ndaj Kukësit do të jetë e njëjta situatë si në takimet e tjera. Çdo ndeshje meriton të vlerësohet në maksimum dhe ne duhet të jemi të përqendruar te ky takim.

Duhet të bëjmë atë që kemi bërë në ndeshjet e tjera dhe kam besimin se do t’ia dalim. Shiriti? Është krenari, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe për mua. Falënderoj Ditën për gjestin që bëri në Shkodër, pasi për mua ka qenë mjaft domethënës. Normalisht kur mendon se në krahun e kujt ka qenë ky shirit të bën që të kesh përgjegjësi më të mëdha”, përfundoi kosovari i Skënderbeut.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"