Një pankinë kombëtareje edhe për Bledi Shkëmbin, që sot është te U-17

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2017 | 19:48

Një pankinë kombëtareje edhe për Bledi Shkëmbin, që sot është te U-17

Bledi Shkëmbi nuk ka qëndruar shumë gjatë larg fushës së gjelbër. Ish-kapiteni i Skënderbeut, i cili dha lamtumirën futbollit të luajtur në fund të sezonit të kaluar, është kthyer përsëri të shkelë barin e gjelbër në detyrën e zëvendëstrajnerit të përfaqësueses U-17. Ai do të qëndrojë përkrah Xhemal Mustedanagiç për të mësuar sa më shumë nga ky zanat i ri që do të ndërmarrë në karrierë, derisa të pajiset me licencat që nevojiten për t’u bërë një trajner.

shkembi

“Është një ëndërr, diçka shumë e rëndësishme për mua. Jam i kënaqur sepse edhe vet e kam filluar futbollin në këto mosha duke veshur fanellën e kombëtares. Patjetër që duhet të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që më dha mundësinë, por edhe trajnerin Mustedanagiç, që më pranoi në stafin e tij”, ishin fjalët e Shkëmbit për “Top Channel”.

Ai shpreson se duke e filluar nga baza, synon të përsëritë hapat që ka bërë në karrierë si futbollist ku arriti majat, duke “kërcënuar” të huajt që kanë pushtuar trajningun shqiptar.

“Kështu e kam nisur edhe si futbollist, nga moshat e deri te të rriturit, nëpër ndeshje kam hyrë gjithmonë si ushtar dhe pas tyre kam dalë gjeneral. Në fillim duhet të bëjmë maksimumin, e ta tregojmë këtë me rezultate, pastaj mendoj se ndoshta nuk do të jetë më e nevojshme që të vijnë shumë trajnerë të huaj në Shqipëri.

Vizita në Itali? Shkova për një javë te Lacio për të ndjekur stërvitjet e atij ekipi. Do të vazhdoj ta bëj këtë gjë për të fituar eksperiencë edhe në ekipe të tjera. Në Itali kam mundësi ndoshta të shkoj edhe te Fiorentina”, deklaroi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"