“Një ndihmë për kategoritë e ulëta do ishte jetike në këto momente”, shefi i klubit të Korabit: Ju tregoj problemet e klubeve të bashkisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2020 | 19:38

“Një ndihmë për kategoritë e ulëta do ishte jetike në këto momente”, shefi i klubit të Korabit: Ju tregoj problemet e klubeve të bashkisë

Donald Mziu, djali i presidentit Femi Mziu mban postin e shefit të klubit të Korabit. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ka komentuar vendimin e FSHF-së, për të përjashtuar nga ndihma financiare, klubet që varen nga bashkia. Shefi i klubit nga Peshkopia, pajtohet me vendimin e organit më të lartë të futbollit në vend, edhe pse pjesërisht trajtimi është i diferencuar.

mziu

“Në Shqipëri niveli i futbollit është rritur shumë në të gjithë aspektet për meritë të Federatës, Qeverisë dhe drejtuesve të klubeve. Diferenca midis Kategorisë së Parë dhe Superiores është shumë e vogël dhe skuadrat që konkurrojnë për t’u ngjitur në Superligë janë pothuajse në të njëjtin nivel me ato që renditen në gjysmën e tabelës në elitë.

Federata ka vendosur të trajtojë financiarisht vetëm klubet e Superiores dhe të gjendur në këto kushte kritike, s’na mbetet gjë tjetër vetëm se të pajtohemi me vendimin e saj. Më në fund u krye diçka në shërbim të sportit, edhe pse pjesërisht dhe trajtim i diferencuar. Në finale jemi të gjithë bashkë për këtë kauze dhe na vjen mirë që po shpërblehen njerëz të sportit.

Mirë do të ishte të përfitonin të gjithë, por e them me bindje se Federata e di mirë se ç’po bën. Fakt është që ajo shumë që përfiton një person i përkon thuajse 70-80% të pagës së një lojtari mesatar në Kategorinë e Parë dhe në këtë moment do ishte vërtet një ndihme për shumicën, pasi të gjithë vuajnë për të siguruar kushtet minimale në shtëpitë e tyre. Kjo shumë për nivelin e Kategorisë Superiore është sipas mendimit tim, shuma që shteti mban nga tatimi i pagës së pjesës dërrmuese.

korabi

Klubet që varen nga bashkitë kanë probleme më të mëdha pasi varen nga burokracitë dhe procedurat e lodhshme, ku herë ka vonesa e herë ka çelje mangët për shkak të mungesës së fondeve, pasi kurrë nuk arrihet mbledhja 100% e taksave të popullit prej të cilave përbëhet thuajse gjysma e buxhetit. Një ndihmë për kategoritë e ulëta do ishte jetike në këto momente, por na vjen mirë që një pjesë e jona po shpërblehet, edhe pse jo ne. Të paktën po bëhet diçka për futbollin”, u shpreh Mziu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"