Një mungesë e sigurt ndaj Kastriotit, ja pse ka ngecur loja e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 9:34

Një mungesë e sigurt ndaj Kastriotit, ja pse ka ngecur loja e Partizanit

Nga ndeshja e kaluar me Kamzën te Partizani u hap seria e mungesave të lojtarëve, si rezultat i pezullimeve që vijnë nga kartonët e verdhë. Ndaj Kamzës mungoi Ardit Hila dhe në vend të tij trajneri Skënder Gega aktivizoi të riun Kristi Kote. Për ndeshjen e së mërkurës që do të luhet në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit, mesfushori elbasanas është i gatshëm për stafin teknik, por sërish do të ketë mungesa.

partizani

Me kartonin e verdhë që mori ndaj Kamzës, Sodiq Atanda, plotësoi numrin katër, kështu që është i pezulluar për sfidën kundër Kastriotit. Trajneri Skënder Gega që pjesën e dytë të ndeshjes me Kamzën nisi të mendojë për zëvendësuesin e nigerianit, kur në fushë hyri Renato Gojkoviç.

atanda

Në pjesën e dytë të sezonit të shkuar, boshnjaku ishte titullar i padiskutueshëm me Belicën në qendër të mbrojtjes, gjë të cilën pritet ta bëjë edhe ndaj krutanëve. Duke ditur se ka kohë që nuk luan, trajneri Gega e aktivizoi Gojkoviçin në minutën e 80-të të ndeshjes me Kamzën për t’i dhënë disa minuta mbrojtësit dhe për të krijuar një afrimitet me Belicën, me të cilin pritet të luajë në qendër të mbrojtjes ndaj Kastriotit.

NGËRÇI I LOJËS- Për javë me radhë Partizani i Gegës mori lëvdata, pasi konsiderohej si ekipi që zhvillonte lojën më të mirë, kjo pa dyshim falë treshes “së frikshme”, Mala-Bardhi-Asani. Por, në tri javët e fundit kjo treshe nuk ka qenë rezultative si më parë, kjo jo për fajin e tyre, por për meritë të kundërshtarëve. Me sa duket, trajnerët kundërshtarë e kanë kapur fillin e stilit të lojës së Partizanit dhe duke bllokuar këtë treshe kanë arritur që t’i heqin Partizanit shpejtësinë dhe agresivitetin.

partizani

Kjo gjë u pa qartë edhe ndaj Skënderbeut, ku të tre këta lojtarë ishin nën mbikëqyrjen e dy kundërshtarëve për t’i mbuluar. Në mungesë të një pyke të mirëfilltë, Partizani nuk ka një plan B perfekt, që mund të bënte ndryshimin e rrjedhës së lojës. Por, me lojtarët që ka në dispozicion, trajneri Gega ka lënë të kuptojë se po sajon stile të tjera loje, pasi Mensah po spostohet në krah të majtë dhe Mala operon më në qendër.

Partizani

Po kjo nuk ka dhënë shumë rezultat, pasi kur Mala ishte në krah, ai i alternonte shpesh anët me Asanin, gjë e cila sillte shpërqendrimin e kundërshtarëve. Deri sa të hapet merkato e dimrit, ku shpresohet të gjendet edhe një “pykë” e mirëfilltë, Partizani do të vijojë me cinizmin e tij, duke u kënaqur edhe me fitore të vuajtura, si ajo që mori së fundi ndaj Kamzës.

Ilir Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"