Një Milan latin për Gatuzon, spanjishtja bëhet gjuhë “zyrtare” te kuqezinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2018 | 18:35

Një Milan latin për Gatuzon, spanjishtja bëhet gjuhë “zyrtare” te kuqezinjtë

Vitet kalojnë, sezonet pasojnë njëritjetrin, ndryshojnë edhe modelet e fanellave, por Milani jo. Historia kuqezi flet për cikle, nga ai suedez i GreNo-Li te Milani holandez për të arritur deri te sukseset më të afërta të firmosura nga brazilianët Kaka, Ronaldinjo, Pato, Serginjo, Kafu e Dida.

Të gjitha këto ekipe i bashkon një fill i padukshëm, që karakterizohet nga fitore, suksese dhe trofe. Në agimin e sezonit të ri, asnjë nga legjendat fitimtare te kuqezinjtë nuk është më në skuadër, por fondi “Elliot”, me afrimin e Maldinit dhe të Leonardos, ka gjetur mënyrën për të afruar figurat historike me skuadrën aktuale, pa harruar edhe Xhenaro Gatuzon, që prej dhjetë muajsh punon me lojtarët, duke i mësuar lëvizjet dhe skemat, por edhe përkatësinë e fanellës.

milan

“LATINOS” – Ajo që bie në sy, të paktën në këtë fillim sezoni, kur takimet zyrtare nuk kanë filluar ende, është organika. Cilësi, rini, por edhe përvojë. Një tjetër karakteristikë është gjuha spanjolle. Në fakt në organikë në dispozicion të Xhenaro Gatuzos, për sezonin e ri janë të gatshëm 29 lojtarë, nga të cilët nëntë janë me pasaporta nga vende ku gjuha zyrtare është spanjishtja. Nëse llogarisim edhe Rikardo Rodrigezin, është thuajse një skuadër e tërë e përbërë nga spanjishtfolës. Reina, Muzakio, Zapata, Bilia, Hoze Mauri, Laksalt, Suso, Kastijeho e Higuain janë një bërthamë e “Djallit”, e cila ndihmon që në formën e grupit e deri te prodhimtaria përpara porte.

ATRIBUTE – Klani “spanjoll” te kuqezinjtë dallohet për personalitetin e Reinës, gatishmërinë e Zapatës, profesionalitetin e Muzakios dhe shpirtin luftëtar të uruguaianit Laksalt. Suso e Kastijeho sjellin driblime e krosime të sakta në dobi të mbretit të bomberave, atij Gonzalo Higuaini, tek i cili varen një pjesë e mirë e shpresave të milanistëve për një sezon mbi pritshmëritë. 313 gola në 13 sezonet e fundit janë një kartëvizitë e mirë, të cilën te Milani e kuptojnë të gjithë, pavarësisht se është e shkruar edhe në spanjisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"