Një mbrojtës dhe një sulmues, Kukësi përgatit dy goditje “in extremis”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2021 | 15:48

Një mbrojtës dhe një sulmues, Kukësi përgatit dy goditje “in extremis”

Në Kukës u lakuan shumë emra ditët e fundit për t’iu bashkuar ekipit, por drejtuesit nuk arritën dot që t’i bindnin dhe t’i afronin në këtë merkato. E gjithë vëmendja ishte hedhur në majën e sulmit, aty ku vetë trajneri e ka kërkuar me ngulm “pykën”, pasi pa një lojtar të tillë e sheh shumë të vështirë të realizojë objektivat.

kukesi longo

Kërkesat e larta ekonomike të lojtarëve, të cilët kërkonin afërsisht 10 mijë euro në muaj, siç ishte rasti i ukrainasit Denis Balanuk dhe hungarezit Marko Futaks, stepën klubin të bënte sakrifica në merkato, duke shpresuar se do të gjenin të tjerë lojtarë në këtë repart.

Më i fundit që u lakua ishte edhe një rikthim i Sindrit Gurit, por futbollisti duket se e sheh mundësinë e fundit rikthimin në Shqipëri, pasi synon ende që të vijojë të luajë jashtë vendit, edhe për faktin se është në kulmin e karrierës së tij. Mirëpo, çdo orë që kalon punon kundër klubit, pasi hapësirat ngushtohen shumë dhe alternativat mungojnë, ndaj verilindorët rrezikojnë të mbesin pa “pykën” e premtuar, edhe pse në klub janë të bindur se deri në mbylljen zyrtare të merkatos do t’ia bëjnë këtë “dhuratë” Longos. E gjitha mbetet për t’u parë nëse verilindorët do ta bëjnë goditjen e pretenduar “in extremis” apo do të marrin pjesë në kampionat me kontingjentin aktual, ku duhet thënë se nuk kanë munguar afrimet e rëndësishme.

MANOVRAT – Në Kukës nuk flitet vetëm për sulmuesin, por edhe për një mbrojtës, i cili është kërkuar gjithashtu nga Longo, pasi sheh mungesë alternativash në këtë repart. Italiani ka bërë eksperimente në këtë repart, duke kthyer në prapavijë dy mesfushorë, si Hila dhe Peposhi, por e gjithë kjo ka qenë në kuadrin e eksperimenteve sepse kërkon që secili futbollist që ka në dispozicion të luajë në rolin e tij natyral dhe aty ku realisht jep më shumë.

Në njëfarë mënyre, kjo ka qenë edhe si përgatitje për situatën me të cilën mund të përballej nëse nuk do t’i plotësohej grupi, në mënyrë që të mos kapej “gafil”. Dhe, në njëfarë mënyre ka pasur të drejtë sepse ende në skuadër atij nuk i janë plotësuar edhe dy dëshirat e fundit, sulmuesi dhe mbrojtësi. Megjithatë, me manovrat dhe lëvizjet që ka bërë kryesisht gjatë fazës përgatitore në Slloveni, italiani, në çdo situatë duket se e ka gjetur zgjidhjen me kontingjentin aktual. Kështu si po shkojnë punët, afrimet e një sulmuesi dhe një mbrojtësi mund të konsiderohen si një “bonus” për të.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"