Një “makinë golash” te femrat, rrëfehet Megi Doçi: Kopjoj Ronaldon e frymëzohem nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2018 | 17:43

Një “makinë golash” te femrat, rrëfehet Megi Doçi: Kopjoj Ronaldon e frymëzohem nga Vllaznia

Futbollistja e Vllaznisë me origjinë nga Burreli, jo vetëm që ka spikatur në çdo trofe apo kampionat në Shqipëri në futbollin e femrave, por nga viti në vit po synon dhe paraqitjet më të mira në arenën ndërkombëtare.

Pikërisht Megi Doçi, sipas renditjes së FIFA-s për golashënuesen më të mirë gjatë vitit 2017, është golashënuesja e 4-t më e mira në botë. Megi Doçi u bë protagoniste dhe këtë javë për golat e saj të shumtë, ku në ndeshjen kundër Pogradecit arriti të shënonte 9 gola. Pas kësaj ndeshjeje, “bomberja” e ekipit tonë Kombëtar dhe të Vllaznisë, për këtë rekord të arritur, dha një prononcim për “Panorama Sport”, duke treguar gjithçka sa ndodhi.

Doci

9 gola, e kishit menduar para ndeshjes që mund të shënonit kaq shumë?

Të them të drejtën, jo. Nuk kam menduar aspak një gjë të tillë për të shënuar 9 gola. Këto nuk janë gjëra që nuk mund të paramendohen, por janë momente që duhet t’i dish, t’i shfrytëzosh në maksimum.

Ju ka ndodhur më parë të shënoni kaq shumë brenda një ndeshjeje?

Ky rast ndodhi se përballë kishim një kundërshtar me lojtare të reja. Në çdo ndeshje kam shënuar shumë gola e jam ndier shumë e kënaqur, por nuk më ka ndodhur kurrë të shënoj 9 gola. Ekipi ynë ka lojtare cilësore e me përvojë, që ma bëjnë më të lehtë mundësinë për të shënuar. Edhe këto 9 gola kanë qenë fryt i punës së këtyre vajzave.

Cili ishte komplimenti më i bukur që ju bënë pas ndeshjes?

Thjesht më uruan për golat. Jo ndonjë kompliment i veçantë. Nuk mendoj se ka ndonjë arsye për komplimente, pasi, siç e theksova më lart, kundërshtari kishte një grup lojtaresh të reja dhe kjo më dha më shumë mundësi për të shënuar 9 gola. Kënaqësi dhe krenari për mua është të shënoj në ekipe të elitës dhe të paraqitem sa më mirë.

Kush futbollist në botë ju pëlqen?

Më pëlqen Kristjano Ronaldo. Gjithmonë më kanë frymëzuar veprimet dhe spektakli që ai jep në fushën e lojës dhe gjithmonë jam munduar, në njëfarë mënyre, të realizoj në fushë veprimet që kam parë tek ai, por frymë- zimin më të madh ma jep ekipi ku unë luaj, Vllaznia.

Ëndrra juaj?

Ëndrra ime dihet, të bëhem një futbolliste shumë e mirë e të përfaqësoj Shqipërinë në mënyrë dinjitoze. Me Vllazninë të vazhdojmë rrugën e fitimit të trofeve në Shqipëri e për të shkuar sa më lart në kompeticionet europiane të “Champions League”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"