Një lituanez kërkon të bëjë bomberin në Rrogozhinë, Paulauskas: Do të bind me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2023 | 19:07

Një lituanez kërkon të bëjë bomberin në Rrogozhinë, Paulauskas: Do të bind me gola

Sulmuesi nga Lituania, Gytis Paulauskas, është një prej afrimeve të Egnatias në merkaton e janarit. Ai u bë hero në ndeshjen e pak ditëve më parë në Korçë për Kupën e Shqipërisë, duke shënuar në minutën e 95-të një supergol, për t’i dhënë fitoren 0-1 Egnatias.

paulauskas

Paulauskas u fut në fushë në minutën e 76-të dhe me veprimet e tij tregoi klas, ndërsa goditja me të majtën nga një pozicion diagonal në kohën shtesë bëri diferencën. 23-vjeçari është kontingjent i kombëtares së Lituanisë, ndërsa vjen tek Egnatia pas tri sezoneve radhazi me klubin Riteriai, ku ka shënuar në total 13 gola në kampionatin vendës. Paulauskas është 1.96 metra i gjatë dhe një garanci tashmë për qendrën e sulmit. Lituanezi ka folur dje enkas për “Panorama Sport”, duke treguar pse zgjodhi të vinte në Shqipëri dhe pikërisht te skuadra nga Rrogozhina.

Paulauskas, së pari, përse pranuat ofertën e Egnatias?
Klubi tregoi interes për mua dhe më pëlqeu fakti që më kishte ndjekur së fundmi. Projekti që drejtuesit kanë dhe serioziteti në bisedimet që bëmë, më bindi të provoja këtë aventurë. Pasi më bënë ofertën, mora informacione për klubin dhe u binda se bëhej fjalë për një ekip të mirorganizuar dhe serioz, prandaj dhe pranova të vija tek Egnatia.

Çfarë dinit për Shqipërinë përpara se të firmosnit?
Të jem i sinqertë, nuk dija asgjë për Shqipërinë. Nisa të kërkoja në internet për vendin dhe mësova se shumë futbollistë shqiptarë luanin në ligat më të forta të Europës.

Ju bëri përshtypje ky fakt?
Natyrisht, gjykova se mjafton ky fakt për ta konsideruar Shqipërinë dhe futbollin këtu, si një moment ku mund të përmirësohem mjaft në karrierën time. Tashmë që jam pjesë e Egnatias, vërtet bindem se kam bërë zgjedhjen e duhur.

Shënuat që në debutim, besoni se do të vazhdoni me gola edhe në kampionat tashmë?
Ishte një start fantastik, por për mua ai gol është harruar tashmë. Po punoj fort për ndeshjen e radhës që kemi me Kukësin. Më duhet edhe pak kohë sa të ambientohem. Jam i bindur se do ta ndihmoj klubin të arrijë objektivat dhe për këtë shpresoj të shënoj sa më shumë gola.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"