Një legjendë e futbollit të Tiranës po ringjall shumësportëshin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2017 | 20:05

Një legjendë e futbollit të Tiranës po ringjall shumësportëshin e Partizanit

Pas volejbollit të meshkujve (të harruar për më shumë se një dekadë), i rikthyer sezonin e kaluar, shumësportëshit të Partizanit i shtohet garës kombëtare për sezonin 2017-2018 edhe skuadra e basketbollit të vajzave, edhe kjo e fshirë prej më shumë se 10 viteve.

Shkelqim Muca

Nisma personale e shefit të klubit shumësportësh kryeqytetas, Shkëlqim Muça, finalizohet me sukses falë bashkëpunimit me ish-drejtuesit e skuadrës të Superiorit. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama Sport” nga vetë titullari Muça, ish-futbollist i mirënjohur i Tiranës, ekipi kombëtar, njëherësh ish-trajner e shef klubi i bardhebluve.

“Që kur kam ardhur në këtë detyrë, lojërat me dorë kanë qenë në preferencat e mia, në fokus. Vjet u rikthye volejbolli i meshkujve, ndërsa këtë sezon do të përfaqësohemi me basketbollin e femrave, vajza të reja të perspektivës. Pastaj gradualisht me sigurimin e fondeve dhe afrimin e sponsorëve. Gjithmonë jemi në kërkim të buxheteve.

Kur unë kam marrë drejtimin e këtij klubi, fondi që përfitonte ka qenë skandaloz, shumë i vogël. Por falë mbështetjes së ministrisë, ky fond është dyfishuar. Në vazhdim do të përpiqemi të jemi sa më kompetitivë. Rikthimi i Partizanit të femrave ka qenë një iniciativë e imja. Për më tepër unë e kam për detyrë funksionale që të merrem me organizimin e klubit.

Pas kontaktit me drejtuesit e Superiorit, u propozova që të ngremë një ekip të Partizanit të femrave. Si vit i parë modest do ta mbështesim me bazë materiale, gjithashtu do të vëmë në dispozicion edhe palestrën për stërvitje. Ndërsa vitin tjetër, pretendimet janë edhe më të mëdha për një paraqitje edhe më cilësore.

E rëndësishme është që Partizani të shfaqet prapë, ka qenë një klub që i ka pasur të gjitha sportet”, deklaroi Muça. Gazeta mësoi se pjesë e stafit teknik do të jetë çifti Ervin dhe Ledina Koçi (trajnere e vetme ndërkombëtare në Shqipëri), ndërsa ndihmësetrajnere Poliksenja Muzha. Superior Basket u shpall kampione e U16-ës përpara dy viteve, ndërsa një vit më parë morën titullin në kampionatin lokal të Tiranës ku fituan në finale 73-11.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"