Një karrierë për rekord, 40-vjeçari Spaho rinovon me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 18:40

Një karrierë për rekord, 40-vjeçari Spaho rinovon me Lushnjën

Lushnjarët kanë mbyllur tri javët e para të fazës përgatitore në fushën sportive të Plugut, aty ku po stërviten në mënyrë të organizuar që nga 18 korriku. Nën drejtimin e trajnerit Klodian Duro, skuadra do të rikthehet në fushë sot në orën 17:30, për të nisur javën e katërt të përgatitjeve verore.

Spaho Lushnja

Përveç punës në terren, Lushnja vijon punë edhe në merkato, me afrime dhe rinovime kontratash. Me verdhejeshilët ka rinovuar kontratën edhe portieri “veteran” Mikel Spaho. 40-vjeçari luan në stadiumin “Roza Haxhiu” që nga viti 2001 dhe vitet e moshës janë thjeshtë shifra për portierin, i cili nuk ka të ndalur me futbollin e luajtur. Në sezonin e kaluar “gardiani” veteran u aktivizua në 14 takime, me 1260 minuta në fushë, ku pësoi 15 gola.

“Kam firmosur kontratën e re sezonale me klubin e Lushnjës. I emocionuar dhe i gatshëm për të luajtur me këtë ekip deri në frymën e fundit sportive. Jemi duke përgatitur sezonin në vazhdim me një organizim të ri, frymë të re dhe në kushte shumë të mira stërvitore. Kemi një grup djemsh me shumë pasion dhe me dëshirë për punën. Falënderoj tifozët që na ndjekin në fushën e Plugut dhe u them se ekipi ynë i zemrës do të pretendojë fort këtë sezon”, deklaroi për “Panorama Sport” portieri Mikel Spaho, i cili në fund të këtij muaji do të mbushë 40 vjeç.

spaho

Në kategoritë inferiore ka disa lojtarë që luajnë edhe pas të dyzetave, ndërsa Spaho përbën një rekord për klubin e Lushnjës dhe është kthyer kështu në një legjendë. Ai është aktivizuar me Lushnjën në 19 kampionate. Ka luajtur për verdhejeshilët në sezonet 2001-2010, 2012-2019 dhe 2020-2022. Ndërsa në sezonet 2010- 2012 ka qenë portier i Flamurtarit. Në sezonin 2019-2020 punoi në sektorin e të rinjve, me portierët dhe trajner i U-13 të Lushnjës, por u rikthye sërish në portë dhe tashmë ka rinovuar deri në fund të sezonit që po troket.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"