Një jetë te Erzeni, ish-kapiteni Troplini: Ky ekip po bën histori, por ne luanim me muaj pa u paguar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2022 | 22:56

Një jetë te Erzeni, ish-kapiteni Troplini: Ky ekip po bën histori, por ne luanim me muaj pa u paguar

Denis Troplini është sot 38 vjeç dhe ka provuar të luajë me Erzenin në të gjitha nivelet në futbollin shqiptar. Ai është padyshim kapiteni më jetëgjatë i skuadrës shijakase, teksa prej vitesh jeton jashtë vendit. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, ish-mesfushori foli për ecurinë fantastike të shijakasve këtë sezon, por jo vetëm.

erzeni

Denis, jeni një nga lojtarët më jetëgjatë tek Erzeni i dy dekadave të fundit, duke mbajtur për shumë vite edhe shiritin e kapitenit. Si ju është dukur ky sezon, tashmë si një ish-futbollist?
Duke qenë se jam shkëputur prej disa vitesh nga qyteti i Shijakut, jam munduar ta ndjek Erzenin sa kam pasur mundësi, që nga momenti që u tërhoqa nga futbolli i luajtur. Mora mjaft emocione dhe dashuri nga ky ekip, të cilit i dedikova të gjithë karrierën time. Më ka bërë përshtypje ky start, pasi është një ekip mjaft i mobilizuar, aq më tepër duke marrë parasysh se u krijua në një kohë rekord.

Fazën e parë e mbylli në vend të dytë bashkë me Tiranën. Ju ka befasuar kjo ecuri?
Me sa kujtoj unë, vendi i dytë momentalisht në Superiore është pozicioni më i lartë që ka arritur Erzeni ndonjëherë dhe natyrisht është surprizë e këndshme për të gjithë ne. Me aq sa kam komunikuar me miqtë e mi në Shijak, aty ka një harmoni të madhe në dhomat e zhveshjes dhe kjo është mjaft e rëndësishme për një skuadër.

Ndeshja e radhës është ndaj Vllaznisë në Shkodër. Me aq sa e keni ndjekur kampionatin, besoni se Erzeni mund të bëjë një tjetër surprizë?
Po, unë besoj, pse jo. Gjithçka ndodh në futboll dhe Vllaznia është një ekip, me të cilin Erzeni ka njohur disa herë fitore, që kur unë kam qenë në fushë vetë dhe mund ta bëjë një gjë të tillë sërish. Kam besim te një rezultat tjetër pozitiv. Natyrisht ndeshja do të jetë mjaft e vështirë, pasi Vllaznia ka pretendime shumë më madhore se Erzeni.

Na tregoni pak se çfarë ndryshimi ka me vitet që ju keni luajtur futboll dhe a keni nostalgji për tifozërinë shijakase, që edhe këtë sezon po mbush stadiumet?
Kur ne luanim në kohën tonë, vinim futbollin mbi gjithçka, madje edhe kur mungonte infrastruktura apo financat. Kujtoj se luanim me muaj të tërë pa marrë pagat, pasi e kishim shumë pasion futbollin. Lojtarët e sotëm kanë kushte mjaft të mira, duke filluar nga fushat dhe ana financiare. Kjo është një gjë e mirë, si për ata, si për klubin, por edhe për futbollin në Shqipëri në përgjithësi. Sa u përket tifozëve të Erzenit, janë më të mrekullueshmit në botë, pasi lënë çdo punë të tyren për ta ndjekur ekipin kudo, nga më i vogli dhe deri te më i moshuari. Na kanë qëndruar gjithmonë pranë, edhe në ditët më të vështira. Shpresoj që lojtarët e rinj të ardhur tek Erzeni të gjejnë një motiv akoma më të madh dhe të vazhdojnë të marrin rezultate pozitive për këta tifozë të mrekullueshëm.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"