Një jetë shef klubi, Bana “skanon” Kamzën e Superiores: Ndaj Lushnjës vetëm për 3 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2017 | 10:37

Një jetë shef klubi, Bana “skanon” Kamzën e Superiores: Ndaj Lushnjës vetëm për 3 pikë

“Raçiç, Plaku dhe Rezi po shënojnë, por nuk mund të luajnë asnjëherë nga minuta e parë të tre së bashku”. Kështu mendon shefi i klubit të Kamzës, Albert Bana, i cili, në një bisedë për “Panorama Sport” bën dhe skanerin e dy javëve të para në ndeshjet me Kukësin dhe Partizanin.

Albert Bana

Prej më shumë se një dekade, Bana ka parë nga të gjitha në klubin kamzali, që nga periudhat kur Kamza ka pasur një periudhë të errët, e deri te sukseset me ngjitjen në Superiore. Asnjëherë ai nuk e ka braktisur klubin dhe jo më kot ka besimin e presidencës.

“Jemi të kënaqur që të tre sulmuesit janë kthyer te goli dhe kanë gjetur formën e përshtatshme, por duket mjaft e vështirë që ne të nisim një takim me tre sulmues të mirëfilltë. Megjithatë, këto janë mendime të mia personale, sepse për këtë vendos vetëm trajneri Ndreu dhe askush nuk ka të drejtë nga ne që t’i ndërhyjë. Pavarësisht humbjes në Kukës, por edhe barazimit me Skënderbeun, ne jemi të kënaqur nga ecuria e ekipit, pasi kemi arritur të marrim një pikë të rëndësishme.

Kamza

Një fitore me Lushnjën do të na çonte direkt në vendin e 5-të. Ekipi po konsolidohet nga dita me ditë. Do të shihni një Kamzë ndryshe në vijim, më të rrezikshme në sulm”, është shprehur fillimisht Bana. Fakti që Kamza ka lënë pas Partizanin, edhe pse vetëm dy javë kanë kaluar, u vjen mirë drejtuesve.

“Nuk duhet ta shohim si sukses, pasi jemi ende afër dhe ne kemi siguruar vetëm një pikë, por kemi shumë rrugë për të bërë. Kemi siguruar një pikë, duke ia marrë skuadrës pretendente për titull. Por, kjo nuk duhet të na shpërqendrojë, sepse nëse ne bëjmë një hap fals ndaj Lushnjës, do të jemi sërish në të njëjtat pozita.

Prandaj ne kërkojmë pikë të plota ndaj rivalëve për mbijetesë. Nga ndeshjet që kemi zhvilluar kundër Kukësit dhe Skënderbeut, mendoj është rritur së tepërmi morali i skuadrës për të marrë pikët e mundshme në Lushnjë. Pra, do të shkojmë atje për të fituar tri pikët.

Lushnja ka një ekip simpatik, që luan futboll të mirë dhe do përkujdesje e jo shpërqendrim”, ka theksuar shefi i klubit kamzali. Garancia financiare te Kamza shihet si një siguri e madhe për suksesin. “Mund të them se faza përgatitore, si dhe ndihmesa e vazhdueshme e presidentit Qarri dhe kryebashkiakut Mziu kanë qenë faktori që tashmë po japin ndikimin e vet.

Por, formatimi i skuadrës ka qenë i ngadaltë dhe lojtarët më të mirë të ekipit erdhën shumë vonë, duke mos kaluar këto etapa. Kamza është gati të bëjë diferencën ndaj çdo skuadre”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"