Një “Ibra” për Prishtinën. Klubi prezanton trajnerin e ri, vjen nga kampionati austriak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 21:33

Një “Ibra” për Prishtinën. Klubi prezanton trajnerin e ri, vjen nga kampionati austriak

Një Ibra për Prishtinën, jo në fushë, por në pankinë. Abdulah Ibrakoviq është zyrtarizuar sot si trajneri i ri i kampionëve në fuqi të Kosovës, të cilët shkarkuan pak ditë më parë teknikun Zekerija Ramadani, i cili i kishte drejtuar drejt titullit kampion në edicionin e fundit.

ibrakoviq curri

Trajneri 51-vjeçar nga Bosnjë Hercegovina, ka firmosur sot marrëveshjen me klubin, duke u vënë menjëherë në drejtimin e skuadrës bardhekaltër.

“Mund të them se po ndihem shumë mirë. Prishtinën e shikoj si klub shumë të madh, klubin më të madh në Kosovë. Ekipi ka kualitet dhe është normale që në futboll të ketë rënie dhe ngritje. Besoj se tani me disa energji të reja do të arrijmë të përmirësohemi dhe sigurisht se më pas do të jetë më lehtë.

Futbolli në Kosovë po rritet çdo ditë e më shumë dhe Prishtina do të jetë skuadër e cila do ta tërheqë të gjithë futbollin kosovar në drejtim të Evropës. Për mua është një sfidë shumë e madhe që ta bëj një hap më shumë nga gjeneratat e mëhershme.

Futbolli në Kosovë nuk është i panjohur. Më herët e kam përcjellë edhe ekipin e Prishtinës. Vitin e kaluar e kanë fituar titullin kampion dhe kanë qenë ekipi më i mirë në ligë. Tani kemi shumë lojtarë kualitativë. Ne duhet të ndryshojmë paksa në skemat e stërvitjeve dhe mënyrën e lojës.

Prishtina e kërkon gjithmonë titullin dhe të gjithë trofetë. Prishtina mund të krahasohet në Bosnjë me klubin e Sarajevës, që pak a shumë kanë pritje të njëjta. Klubet kalojnë periudha tranzicioni dhe kjo është normale.

Ne duhet t’i dërgojmë mesazhet nga tereni. Pres që ta fitojmë tifozerinë në stadium me dëshirën dhe angazhimin tonë. Ajo çka mund tu premtojmë është se do t’i bëjmë të gjitha çka dimë dhe mundemi për të mirën e ekipit”, ishin fjalët e Ibrakoviq, i cili së fundmi ka punuar në Austri, te skuadra Kapfenberg. Ai ka drejtuar skuadra si Radniçki Lukavac, Sloboda Tuzla, Bratstvo Graçanica, TOSHK Teshanj, Velez Mostar, Çelik Zenica, Heten dhe së fundmi Kapfenberg.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"