Një histori kritike në 70-vjetorin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2016 | 22:11

Një histori kritike në 70-vjetorin e Partizanit

besnik dizdariNga BESNIK DIZDARI

KAPITULLI III

Prapë më duhet të kthehem disi mbrapa. Te viti 1945. Më saktë, te 19 gushti 1945. Kampionati Kombëtar i Notit në Durrës, “që ka qenë i pari Kampionat Kombëtar në Shqipninë e Re Demokratike”, siç shkruan shtypi, duke e veçuar vlerën e këtij Kampionati, teksa e shënon me germa kapitale, ashtu siç e shënoj edhe unë sot. Po që nuk po ia mbush mendjen askujt se kështu duhet shënuar se herë që shkruajmë “Kampionati Kombëtar”.

Në kampionat është i pranishëm Gjeneral Nënkolonel Koçi Xoxe e mbrapa tij Myslim Peza, Spiro Moisiu, Dali Ndreu, Bedri Spahiu, Ymer Dishnica, Haxhi Lleshi, Kristo Themelko, Baba Faja Martaneshi. Shqipëria nuk kishte njohur një shfrytëzim kësisoj publiciteti të sportit prej qeveritarëve të rinj. Befasia e madhe e këtij Kampionati qëndron te pjesëmarrja në të e katër “klubeve” të panjohura sportive që janë:Untitled Divizioni I, II, III, VI Sulmues! Katër klube “ushtarake” pra, të cilat marrin pjesë në këtë Kampionat së bashku me klubet e vjetra si Teuta e Durrësit, Sportklub Tirana, Sportklub Vllaznia, Sportklub Vlora, siç emërtohen zyrtarisht. Sot, po na pëlqen t’i quajmë edhe këto klube ushtarake si “Partizanë” ndër të parët. Dhe pa kaluar një muaj, kur mbërrin 21 shtatori 1945, shfaqet befasia tjetër. Zhvillohet Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë, i pari i Mbasluftës. Edhe kësaj radhe klubet ushtarake janë plot katër:

Divizionet II, III, IV, V. Befasia tjetër është ndërkaq Divizioni II Sulmues që zë vendin e tretë si ekip mbas Kampiones Sportklub Tirana dhe Nënkampiones Vllaznia e Shkodrës. E në Divizionet do të gjesh emra të shquar atletësh: Zef Frania, Zisi Kondi, Galip Sojli, Hysen Hysenaj, Teodor Koçi, Sulejman (Bule) Vathi), Fahri Fani… Janë edhe këta pra ndër “partizanasit” e parë. Por ajo që është më e rëndësishmja që ne “zbulojmë” në gjithë këtë histori i përket vitit 1946. Datat tashmâ i kemi të sakta: 10-12 gusht 1946.

Kampionati Kombëtar i Notit. Kampione Teuta e Durrësit. Dhe sensacioni! Zhduken “klubet e Divizioneve”. Nënkampion është klubi me emrin e pagabueshëm Partizani i Ushtrisë Kombëtare. Këtu nuk ka vend për asnjë mëdyshje historike. Historisë këtu nuk mund t’i lëvizësh as presjen. Kjo do të thotë se zyrtarisht klubi sportiv Partizani themelohet në këtë gusht 1946. Edhe pse Partizani i futbollit ka dalë në fushë 6 muaj përpara.

Por kujdes: ai ka dalë në fushën e lojës vetëm për ndeshje miqësore! Kështu, për të qenë juridikisht të rregullt, kujtojmë se një klub sportiv në një shtet nis jetën e tij zyrtare vetëm kur merr pjesë në një kampionat kombëtar të vendit të tij. Tash jemi krejt të qartë: Partizani i parë që merr pjesë në një Kampionat Kombëtar të Shqipërisë nuk “E vërteta është se ndërsa zhvillohet Kampionati Kombëtar i futbollit i vitit 1946 pa të, Partizani i futbollit, në një mënyrë ose një tjetër, është thuajse çdo javë i pranishëm.

Ai do të nisë një turne të pafund ndeshjesh miqësore, ‘të frikshme’ për kah rezultatet, shpërthyese për kah stili. Dhe me emra të pafund, teksa nis e mbush stadiumin kombëtar dhe fushat sportive të Shqipërisë”. është as ai i futbollit, as ai i basketbollit, as ai i volejbollit, as ai i atletikës së lehtë, por ky Partizan i sportit të notit! Ndërkaq, nuk kalojnë veçse pak ditë, vjen 23 gushti 1946, dhe ja ku mbërrin Kampionati tjetër Kombëtar, ai i Atletikës së Lehtë. Dhe është vërtet paradoksale, por shtypi teksa rreshton 12 skuadra pjesëmarrëse, këtë listë nuk e nis me Kampionet e famshme të Paraluftës si Vllaznia e Sportklub Tirana, por e nis duke vënë në krye para të gjithëve pikërisht skuadrën debutuese, pra atë që merr pjesë për herë të parë:

Partizanin e Ushtrisë Kombëtare. Në këtë emërtim të përveçëm kemi Partizanin atletik me mbrapa cilësimin e vjetër: i “Ushtrisë Kombëtare” që i përket Mbretërisë Shqiptare. Nuk do të vononte megjithatë dhe shumë shpejt “Ushtria Kombëtare” do të zëvendësohej me “Ushtrinë Popullore”… Sundimi partizanas në sportin shqiptar niste në këtë verë 1946 me dy sporte, atë të Notit dhe atë të Atletikës së Lehtë, duke treguar se ky Partizan do të ishte jo thjesht një klub futbolli, por një klub shumësportësh, olimpik në përmbajtje, mbarëkombëtar në përfaqësim. Dhe, rrufeshëm, ka kurajën madje që të ketë ekipin më të madh atletik, me plot 52 atletë!

Teksa shfaq edhe një tjetër befasi: do të përfaqë- sohet edhe me 20 atlete femra! Së bashku plot 72 atletë e atlete, kur më i afërti, klubi i parë sportiv në Shqipëri, Vllaznia e Shkodrës, kishte vetëm 31 atletë! Nuk kam arritur megjithatë të provoj nëse gjatë Kampionatit u respektuan këto shifra të bujshëm pjesëmarrjeje… Ajo që kam mundur të “zbuloj” janë një tufë emrash të shquar atletësh të këtij Partizani të parë:

Sulejman Vathi, Taq Dafa, Kosta Eksarko, Galip Sojli, Zefa Frania, Zisi Kondi, Fadil Bushati, Ligor Sovjani, Mihail Prifti, Tahir Puka. Midis këtyre Galip Sojli, Zef Frania e Zisi Kondi dihet që kanë qenë rangu më i lartë i atletikës shqiptare të asokohe. Duke u veçuar prej tyre drama e madhe e politikës dhe e persekutimit të vazhdueshëm të atletit Galip Sojli – një ndër rekordmenët më të parë të vrapimeve të mesme e të gjata në Shqipëri, madje në këto vite të para të Mbasluftës ai ishte dhe mbeti një sportist i jashtëzakonshëm. Dhe ndalim te suksesi i bujshëm i këtij Partizani, i cili papritmas arrin të renditet i treti i Shqipërisë me meshkuj mbas 17 Nëndorit (137 pikë), siç quhet tash e mbrapa klubi i Tiranës dhe me vetëm 2 pikë mbrapa Nënkampiones Vllaznia:

107 me 105 pikë. Por dukuritë e rralla nuk ndalojnë këtu. Ekipi i renditur në vendin e katërt është një klub tjetër ushtarak me emrin Fitorja e Ushtrisë Kombëtare. Sporti shqiptar po ushtarakizohej pa ndalë!… Përfundimisht, Partizani tashmâ po shfaqet jo si një debutues që nuk dihej se çka mund të ishte. Ai po shfaqej si një protagonist i madh i sportit shqiptar. Mû në themelim ai është midis tre më të mirëve të Shqipërisë në dy sportet nobël olimpikë, siç janë noti dhe atletika e lehtë. Dhe nuk ka për të qenë episodik. Për dekada të tana, si në not ashtu dhe në atletikë të lehtë, ai do të ishte ndër të parët e vendit, duke rritur e edukuar plejada të tanë notarësh, por sidomos atletësh të shkëlqyer për Shqipërinë.

E pra? Juridikisht, Partizani është themeluar jo prej futbollit, por prej notit dhe atletikës së lehtë. E megjithatë fama e madhe do t’i takonte atij që ende nuk kishte marrë pjesë në asnjë Kampionat Kombëtar: Partizanit të futbollit. E vërteta është se ndërsa zhvillohet Kampionati Kombëtar i futbollit i vitit 1946 pa të, Partizani i futbollit, në një mënyrë ose një tjetër, është thuajse çdo javë i pranishëm. Ai do të nisë një turne të pafund ndeshjesh miqësore, “të frikshme” për kah rezultatet, shpërthyese për kah stili.

Dhe me emra të pafund, teksa nis e mbush stadiumin kombëtar dhe fushat sportive të Shqipërisë. Asnjëherë më në historinë sportive shqiptare nuk do të ndodhte që një fillim kësisoj i pafund ndeshjesh miqësore të merrte një rëndësi kaq të madhe. Partizani po ngjasonte me një trupë artistike që përshkohej qyteteve me shfaqjet e saj pa ia nda. Ndeshjet e tij janë rrokullisëse. Sapo ka mbetur mbas ajo ndërkombëtare me Spartakun e Moskës, por nuk ndalin të tjerat:

Partizani – Ylli i Kuq i Durrësit 1-1, Partizani – Skënderbeu 4-2 (Çobani, Fagu, Cuciqi, Demneri, Sakiqi, Pelinku, Vajushi, Teliti, Pengili, Kavaja, Laçej), Spartak i Kuçovës – Partizani 0-3, Ylli i Kuq i Durrësit – Partizani 1-4, Vllaznia – Partizani 3-1. Këtu kemi Tahiri, Gjeloshi, Fakja, Boriçi, Dibra, Nehani, Vasia, Mirashi, Juka, Smajli përballë Çobanit, Vathit, Demnerit, Sakiqit, Pelinkut, Bakallit, Kavajës, Pengilit, Telitit, Laçjes. Me arbitër të mirënjohurin Qazim Dervishi. Kur më 1 shtator 1946 mbërrihet te kthimi në Shallvare i këtij dueli të ri Vllaznia – Partizani të futbollit shqiptar, ngjarja dhe zhvillimet e saj ia kalojnë përmasave të një ndeshjeje të Kampionatit Kombëtar. Është një 2-2 dramatik. Shallvarja e vjetër që kishte përjetuar Sportklub Tiranën e famshme me Lushtën e Kryeziun tash ka një premierë krejt të panjohur:

Partizani – Vllaznia. Emrat thuajse të gjithë i përkasin Paraluftës, viteve ’30 apo tre Kampionateve Kombëtare të Luftës. Janë futbollistët e sapoemërtuar si “ushtarakë”: Qymyri, Tepelia, Fagu, Vathi, Demneri, Pelinku, Laçej, Kavaja, Pengili, Sakiqi, Teliti. Dhe, nga ana tjetër, janë futbollistët shkodranë Tahiri, Ademi, Dibra, Boriçi, Fakja, Smajli, Juka, Mirashi, Halepaini, Vasija. Arbitër është një shoku i tyre i hershëm, prof. Adem Karapici. Shënojnë Vasia, Sakiqi, Fakja, Teliti. Është një 2-2 i një ndeshjeje të ashpër dhe me trille.

Ndodh që në të 3′ Boriçi kapet me arbitrin Karrapici, i cili e nxjerr jashtë. Për bukur 15 minuta Loro nuk dëgjon të lërë fushën. Shallvarja ushton. Janë 12.000 shikues që presin. Më në fund gjithçka rifillon dhe me këtë ndeshje merr fund turneu afirmues i këtij Partizani të sapolindur, i emërtuar “Tourne-a footballistike e Partizanit”. Historia e bujshme, e sanksionuar juridikisht me pjesëmarrjen në Kampionatin Kombëtar të Partizanit të futbollit ishte lënë të fillonte më 1947. Do ta tregojmë në Kapitullin IV të historisë sonë… * Për vazhdimësi shih Kapitullin I dhe II në “Panorama Sport” të 7 dhe 23 mars 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"