Një grup inxhinierësh zbarkojnë në stadium, më në fund lajme të mira për klubin e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2022 | 10:21

Një grup inxhinierësh zbarkojnë në stadium, më në fund lajme të mira për klubin e Kategorisë së Parë

Ka më në fund lajme të mira për Kavajën dhe futbollin. Duket se punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Besa” do të fillojnë shumë shpejt. Disa herë është premtuar një gjë e tillë, por gjithnjë idetë dhe projektet kanë mbetur në letra. Impianti ka vite që ka degraduar dhe shpesh përdoret nga delet dhe dhitë, duke u kthyer edhe në barsoletë. E megjithatë, zhvillimet e fundit japin shpresë.

besa

Një grup inxhinierësh kanë zbarkuar në ambientet e shkatërruara të stadiumit. Ata kanë bërë matjet për çdo ambient, duke filluar nga pjesa e brendshme e për të kaluar te tribuna qendrore e ajo ballore.

Preventivi për investimin është gati dhe tashmë e vetmja gjë që mbetet, është që të nisin punimet. Pranë Bashkisë Kavajë mësuam diçka më tepër këtë çështje.

Ishte drejtori i sporteve, Klodjan Bajaziti, që për “Panorama Sport” sqaroi se do të ketë ndërhyrje të pjesshme dhe fushën do ta sigurojë vetë federata.

“Bëhet fjalë për preventivin total, të fundit, që do të duhej për rikonstruksionin e stadiumit ‘Besa’. Siç e dini, Bashkia Kavajë ka insistuar që sa më parë të bëhet e mundur vënia në funksion e stadiumit, duke menduar ta bëjë atë të ri nga themelet. Shuma për këtë investim ishte shumë e madhe dhe e papërballueshme me buxhetin që bashkia ka. Në këto kushte, kemi menduar që investimi të bëhet pjesë-pjesë duke nisur me tribunën qendrore e më pas me tribunën ballore. Për këtë arsye kemi afruar një grup inxhinierësh specialistë të fushës për të nxjerrë vlerën reale që duhet të lobojmë për ta përmbushur. Për momentin nuk mundet t’ju them, se bashkia ka të gjithë fondin për ta nisur e mbaruar këtë investim, por do bëjmë maksimumin tonë si bashki për të garantuar këtë fond dhe nisur punimet sa më shpejt. Kemi garancinë e FSHF se tapeti i fushës do të jetë investim i tyre. Shpresoj dhe do të bëjmë maksimumin që kampionatin e ri Besa ta luajë përpara tifozëve të saj”, përfundoi Bajaziti.

Kohë kur stadiumi ''Besa'' zaptohej nga delet

Kohë kur stadiumi ”Besa” zaptohej nga delet

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"