Një gol për vëllain në Angli, Peposhi: Teuta do e provojë për vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2022 | 21:39

Një gol për vëllain në Angli, Peposhi: Teuta do e provojë për vendin e katërt

Teuta ka arritur një fitore tepër të vyer ndaj Egnatias, duke mos i lejuar vetes një hap fals në këtë fund sezoni. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori Ergys Peposhi shprehet se suksesi erdhi pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Për kuksianin, takimi me Kastriotin është një përballje e fortë. Një fitore në një ndeshje të vështirë si ajo me Kastriotin do të ishte një hap tjetër drejt ngjitjes në renditje, sipas 21-vjeçarit, i cili është i huazuar në Durrës nga skuadra e Kukësit.

PEPOSHI

Sa vlera kishte kjo fitore ndaj Egnatias?
Ishte një përballje të cilën e kishim vlerësuar në maksimum për vetë pozitat ku ndodheshim në klasifikim. Mendoj se në përgjithësi kemi zhvilluar një lojë mjaft të mirë, e cila ka ardhur në rritje. Përballë kemi pasur një kundërshtar të fortë dhe që luan hapur në çdo fushë. Kjo ishte si një finale për ne, të cilën e fituam. Kjo fitore na ka vlejtur shumë për të arritur qetësinë e duhur para përballjes me Kastriotin. Një fitore e ardhur pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Besoj që këtë dëshirë dhe grintë do ta tregojmë edhe në takimin me Kastriotin.

Çfarë ju gëzon më tepër pas kësaj ndeshjeje?
Ajo që më gëzon më shumë është se vijuam ecurinë e mirë përballë një skuadre të vështirë për t’u mundur. E falënderoj ekipin tim, sepse tregoi shpirt të lartë gare për 90 minuta në fushë. Kjo fitore shkon për të gjithë tifozët, që nuk na kanë braktisur për asnjë moment dhe kanë besuar bashkë me ne. Mund të them see merituam plotësisht këtë sukses, sepse duhet pranuar se e dominuam komplet lojën.

Veç ndeshjes së mirë në aspektin personal, shënuat dhe një gol. Kujt ia dedikoni?
Falë Zotit, arritëm ta fitonim goleadë dhe goli im i shënuar në pjesën e dytë, mbylli llogaritë, ku meritë pa diskutim pati edhe ekipi. Golin ia dedikoj vëllait në Angli, profesor Arapit dhe të gjithë sportdashësve durrsakë. Ishte një fitore me vlera, e cila na jep shpresë për vazhdimësinë. Megjithatë, puna që na pret është mjaft e madhe, ndaj duhet të përqendrohemi për javët e ardhshme.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Kastriotit?
Do të jetë një takim tepër i vështirë për ne. Kastrioti ka një ekip të mirë, këtë e ka treguar edhe në këtë sezon. Prandaj mund të them pa asnjë hezitim se do të kemi një përballje të vështirë.

A mund të pretendoni tani vendin e katërt dhe të keni shansin e Europës?
Tashmë na kanë mbetur edhe tri finale për të luajtur deri në fund të këtij sezoni, ndaj do luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi që të arrijmë sa më lart, do t’i bëjmë hyzmetin edhe pse do jetë e vështirë, pasi nuk varet vetëm nga ne.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"