Një gol i shënuar në shtëpi, Apolonia më e dobët në 4 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 19:59

Një gol i shënuar në shtëpi, Apolonia më e dobët në 4 vite

Apolonia ka zhvilluar një fazë të parë tejet zhgënjyese dhe shumë larg pritshmërive. Mjafton të shohësh statistikat dhe rezulton se ky ekip është më i dobëti i katër sezoneve të fundit në këtë kategori. Është teta në renditje, në pozicion mbijetese dhe në nivele të tilla sarkastike, saqë përballja e javës së ardhshme me Turbinën e vendit të nëntë mund të quhet mes rivalësh. Nëntë javët e para kanë qenë mundim i vërtetë.

apolonia

Me 4 gola (2 me penallti) të shënuar, skuadra me sulmin më të dobët ndër 20 ekipet e Kategorisë së Parë. Vetëm 1 gol i shënuar në 4 ndeshje në fushën e vet (ku ka regjistruar 3 barazime dhe 1 humbje), plot 416′ pa shënuar gol dhe plot 5 javë pa fitore. I vetmi sezon ndër katër të fundit në këtë kategori me golavarazh negativ (4-5), teksa i vetmi tregues pozitiv mbetet faza mbrojtëse, ku fierakët kanë pësuar këtë periudhë vetëm 5 gola. Faktet janë kokëforta dhe “zarin” e kanë në dorë sa futbollistët, aq edhe stafi teknik. Kanë kaluar 2 nga 7 ndeshje që ka lënë si kusht për vendin e tretë administratori Olsi Bregu dhe Apolonia vetëm 1 pikë ka marrë e ndodhet në vendin e tetë! “Të gjithë jeni në provë deri në fund të dhjetorit!” ultimatumi i administratorit për të gjithë skuadrën, jo vetëm për futbollistët, ka nja dy javë që është përcjellë.

Capture

TIFOZËT – Është ezauruar kjo pjesë dhe skuadra nuk “ka gojë” të ankohet, për vetë faktin se jashtë fushe kjo Apoloni ka marrë 7 nga 10 pikë në total, pa pasur “kokërr” tifozi të pranishëm në transfertë! Ja pse kjo “apologji” e kësaj skuadre rrëzohet apriori. Tifozët vijnë në stadium kur binden në vlerat, ecurinë, përpjekjet e sidomos teksa shijojnë rezultatet e skuadrës.

Edhe kjo sfidë i mbetet në dorë skuadrës, pa kërkuar justifikime false… SULMI – Një skuadër e amullt, me vetëm një sulmues të mirëfilltë: Mario Gjatën, 18 vjeç, ndërsa të tjerët e deklaruar si sulmues, janë të adaptuar: Bakalli, mesfushor i majtë natyral, Zoga, po i tillë dhe as Mihana (i dëmtuar) nuk është sulmues mirëfilli, paçka se vjet ia gjeti “telat” golit. Pa “i prerë krahët” të talentuarit Gjata, Apolonia nuk mund të pretendojë as pesëshen e parë, e jo më Superligën.

HARIZAJ – Ka mbetur i shokuar nga ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me Egnatian portieri i Apolonisë, pa e kuptuar as vetë si i ndodhi. Ka ndenjur për minuta të tëra duke ngashëryer në lot në zonën e tij, teksa pjesëtarë të shumtë të stafit fierak i kanë shkuar pranë për ta ngushëlluar e për t’i dhënë forcë, kurajë dhe besim. 19-vjeçari i katërkëndëshit fierak është një nga më të mirët e kësaj skuadre, dëshmuar jo vetëm nga golat e paktë të pësuar, por edhe nga fakti se është një nga portierët më të mirë në lojën me këmbë.

As Troka nuk fajësohet, pasi topi i kthyer prej tij nuk qe i fortë dhe i paevitueshëm, por… Mbetet për t’u parë gjendja e fushës në “Loni Papuçiu”, për të cilën ka shprehur shqetësim qysh fazën e parë të sezonit të kaluar ish-trajneri i Apolonisë, Ndriçim Kashami. Zgjidhja? Mbetet në dorën e aksionerëve Kokëdhimabashki, për këtë stadium ku janë luajtur edhe ndeshje ndërkombëtare në të shkuarën e afërt, ndërsa sot po i kthehet “boomerang” Apolonisë… Le më një tribunë e katandisur në atë farë derexheje, ku thjesht ka stola të montuar dhe formati i hekurt i salduar, krejt i hapur ndaj çdo lloj klime….

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"