Një ganez dhe një shkupjan drejt zyrtarizimi te Tirana, Flamurtari në “sulm” për Dajën e Kërçikun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 22:21

Një ganez dhe një shkupjan drejt zyrtarizimi te Tirana, Flamurtari në “sulm” për Dajën e Kërçikun

Tirana bëhet gati për “goditjet” e radhës në merkato. Pasi ka siguruar shërbimet e Blazhevskit, Imamit dhe Atingës, të radhës priten Kobinah dhe Berisha. Më në fund ka lajme të mira nga Gana dhe Shkupi për të ardhmen e dy lojtarëve. Kontratës, që mbante “peng” mesfushorin 26-vjeçar, duket se po i jepet zgjidhje. Negociatat e drejtuesve bardheblu me Hart Of Oak (që ka kartonin e lojtarit deri në dhjetor të 2018-ës) po shkojnë mirë dhe shumë shpejt pritet që të vijë edhe visto-ja.

tirana

E njëjta gjë vlen edhe për mbrojtësin shkupjan. Ky i fundit ka kërkuar lejen e kalimit nga Vllaznia, ndërsa pretendon që ka edhe rroga të pamarra. Edhe pse ka një marrëveshje që e mban të lidhur deri në dhjetor, shpreson te “divorci” i parakohshëm. Dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, kryeqyteti do të jetë destinacioni i tij i ardhshëm, pasi i ka dhënë edhe fjalën klubit. Palët kanë folur për shumëçka, përfshi edhe financat. Megjithatë, mësohet se deri javën tjetër gjithçka do të marrë zgjidhje dhe nën urdhrat e Ze Marias mund të vihen edhe mbrojtësi të qendrës dhe fantazisti.

RINOVIMET – Asion Daja dhe Dorian Kërçiku kanë munguar edhe dje në stërvitje. Edhe e mërkura është mbyllur pa akord financiar dhe rrjedhimisht nuk ka ardhur as rinovimi i dy lojtarëve të fundit që kanë mbetur pa kontratë. Nuk dihet se si do të procedohet me mesfushorin dhe mbrojtësin, ndërsa e vetmja gjë që konfirmojnë në klub është që i kanë në plane.

asion daja

Kjo zvarritje po u hap rrugë klubeve të tjera, të cilat janë gati që të përfitojnë nga ky “okazion” në treg dhe te Flamurtari janë në gatishmëri për t’i marrë. Sikundër është përmendur edhe më herët, trajneri Ilir Daja pëlqen që t’i ketë në ekip. Dhe kjo dëshirë mund t’i plotësohet nëse të dy lojtarët nuk firmosin me Tiranën.

kerciku

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"