Një formacion me të huaj, Flamurtari i futet stresit/ Ja sa shqiptarë kanë mbetur në skuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 22:47

Një formacion me të huaj, Flamurtari i futet stresit/ Ja sa shqiptarë kanë mbetur në skuadër

Flamurtari ka një formacion të gjithin të huaj. Me përjashtim të portës, repartet e tjera “zaptohen” nga lojtarët ekstrakomunitarë. në total janë 12 lojtarë, ndonëse Indio Oliveira “shpëton” prej marrjes së pasaportës shqiptare.

FLAMURTARI

Ai mund të luajë i qetë dhe nuk prish asnjë llogari. Për mbrojtjen janë Mohamed Sulaimani nga Arabia Saudite dhe Amidu Zana Silue prej Bregut të Fildishtë, për mesfushën janë tre brazilianët Igor Uanderson da Silva, Luis Karlos dos Santos Amorim dhe Juri Merlim, ndërsa në sulm patriotët e tyre Fernando Armando dos Santos, Pedro Karvalho da Silva Neto, Pedro Augusto Kabral Karvalho, Erik Flores dhe Xhonatan Fausto Silveria da Silva. Në vijën e parë si për të “thyer” rendin, është edhe ganezi Emanuel Mensah. Që kuqezinjtë nuk janë kursyer për merkaton, kjo është më shumë e qartë.

FLAMURTARI

PROBLEMI ME RREGULLAT

Çështja është, a i kanë bërë mirë llogaritë? Kur dihet që në fushë lejohen vetëm 5 lojtarë të huaj, sikleti do të jetë i madh. E thënë troç, 11 lojtarë do të “luftojnë” mes tyre për të bindur Marcelo Troisin për një vend titullari. Tekniku do të duhet që t’i bëjë mirë llogaritë dhe ndoshta lojtarët e tjerë të huaj që mund të aktivizojë mund t’i hedhë në fushë si zëvendësues.

Në Vlorë mund ta themi që flitet portugalisht, pasi “kolonia” braziliane bën ligjin. Pjesa më e madhe e lojtarëve të Flamurtarit vijnë nga vendi i “sambës”. Sa u përket lojtarëve vendës, në organikën e klubit janë 15 bashkë me Oliveirën, që ka marrë pasaportën shqiptare. Ndërsa dy lojtarë janë kosovarë, Vitija dhe Bylykbashi, të cilët u afruan në këtë merkato në Vlorë. Afrimi i kaq shumë të huajve, duket se ka sjellë “xhelozi” te lojtarët shqiptarë, një pjesë prej të cilëve do t’u duhet të “ngrohin” stolin.

flamurtari lista

TROISI ËSHTË NË “LUKS”

Marcelo Trosi ka “luks” përzgjedhjeje për shkak të cilësisë që ka në skuadër, por jo shumë lehtësi në emra. Kështu, pritet që me afrimet e reja të ketë disa ndryshime në formacion. Skema e preferuar e trajnerit është 4-3-3.

Me shumë mundësi, ndryshimet do të nisin që nga porta. Portieri Klajdi Kuka për shkak të moshës dhe eksperiencës pritet që të jetë titullar, e megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të luajë edhe Ariol Kaloshi. Në mbrojtje gjasat janë që të kemi katërshen Silue-Qarri-Disha-Vitija.

Më mesfushë i konfirmuar është një Pjeshka, bashkë me Oliveirën dhe Igor. Ndërsa për golat duhet të mendojnë Flores, Xhonatan dhe Pedro Augusto që vjen pas aventurës tek Egnatia.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"