Një formacion me shënues/ Nga vëllai te tripleta, Lajthia: Lushnja shpëton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2022 | 23:23

Një formacion me shënues/ Nga vëllai te tripleta, Lajthia: Lushnja shpëton

Lushnja ka një “yll” në ekip dhe ai është Xhonatan Lajthia. Me tripletën që shënoi kundër Vorës, mori zyrtarisht statusin e bomberit. Plot 10 gola në 28 javë nuk janë pak dhe sidomos për një mesfushor. Leksion i pastër për sulmuesit. Te verdhejeshilët kanë një formacion me shënues, por askush nuk ka e ka gjetur më shumë rrjetën se 23-vjeçari dhe për më tepër askush nuk ka bërë “hat trick” deri më sot.

Lushnja Lajthia

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai përzgjedh golin e parë si më të bukurin, ndërsa rrëfen emocionet e përballjes me të vëllanë. “Të tre golat ishin shumë të rëndësishëm. Por si më të bukur do veçoja të parin, që e shënova me kokë. Trajneri më përgëzoi për tripletën, por ishte pak i mërzitur. Me të drejtë, pasi nuk morëm atë që dëshironim. Jo vetëm ai, por i gjithë ekipi. Do ishim të qetë nëse do merrnim maksimumin nga kjo transfertë”.

DUELI ME VËLLAIN

Pjesë e formacionit të vorakëve ishte edhe Xhordan Lajthia, i vogli i familjes. Ndryshe nga vëllai, ai luan në sulm dhe ky duel e ka emocionuar pa fund lojtarin që mbron ngjyrat e Lushnjës.

“Përballja me Xhordanin? Ishte ndeshja e parë kundër vëllait. Familjarët e mi ishin të shumtë në stadium, pasi luanim dy vëllezër kundër. Isha shumë i motivuar dhe këtë e treguan tre golat e shënuar. Golat ia dedikoj familjes sime dhe tifozëve lushnjarë. Ndihem shumë i vlerësuar në Lushnjë, me njerëz që e duan shumë futbollin”, tha Lajthia.

LLOGARITË E MBIJETESËS

Lushnja nuk shkoi më shumë se barazimi përballë Vorës, por fitoi një vend në renditje. Verdhejeshilët janë të 9-ët, falë golavarazhit më të mirë se Besëlidhja. Tashmë që janë +2 nga “play out”, kanë më shumë shanse për të shpëtuar, ndonëse të qetë nuk mund të jenë.

Mesfushori flet edhe për mbijetesën që ende nuk është siguruar matematikisht. “Besoj shumë se Lushnja do ta sigurojë këtë javë qëndrimin në Kategorinë e Parë. Lamë pa qenë nevoja dy pikë me Vorën, por besoj se këtë javë do ta sigurojmë”, përfundoi goleadori.

SHËNUESIT E LUSHNJËS

Xhonatan Lajthia 10 gola

Ledjon Xhymert 3 gola

Mirjan Hima 2 gola

Skënder Dedej 2 gola

Hugo da Silva 2 gola

Erald Kolgega 2 gola

Klahos Zani 2 gola

Ervis Gjyla 1 gol

Ergys Alushi 1 gol

Mikel Canka 1 gol

Klajdi Broshka 1 go

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"