Një formacion me largime, Kuli opsion për pankinën e Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2021 | 22:30

Një formacion me largime, Kuli opsion për pankinën e Bylisit

Gati një formacion i larguar nga Bylisi. Nga porta në sulm ka vetëm rrjedhje, ndërsa përjashtim nuk bën as pankina. I pari që konfirmoi “divorcin” pas tri sezonesh ishte trajneri Veljko Dovendan. Pano Qirko nuk ka ikur zyrtarisht, por vazhdon të jetë në Itali për provë dhe po bën që të gjitha tentativat për të mos u kthyer më.

Partizani-Bylis

Në mbrojtje nuk do të jenë më pjesë e ekipit Franci Ymeralilaj, Donald Barjami, Edison Ndreca e Agim Dajçi. Në mesfushë nuk do të jetë më kualiteti i Aleksander Kardozo Garsias e Alesio Hysenit, ndërsa në sulm Marko Morgon Markuinjo e Arbër Mehmetllari.

Duhet theksuar se ka edhe të tjerë futbollistë që kanë përgatitur “valixhet”, qofshin këta shqiptarë apo të huaj. Një pjesë janë drejt shitjes e pjesa tjetër mund të mos jenë në planet e klubit. Gjithsesi, zhvillimet në Ballsh pritet të ndodhin në fillim të muajit të ardhshëm.

PANKINA – Largimi i Veljko Dovedanit pas 3 sezonesh ka detyruar drejtuesit të vihen në kërkim të një tjetër trajneri. Në epokën e Besnik Kapllanajt si president, serbo-boshnjaku ishte më jetëgjati. Për momentin duket se nuk ka asnjë lëvizje për këtë çështje. Ballshiotët po shohin për alternativa shqiptare, por edhe të huaja. Bekim Kuli, që doli edhe kampion me skuadrën U21, është një alternativë për stolin.

Raportet mes kavajasit dhe klubit janë të mira dhe nuk përjashtohet mundësia që ky rol t’i besohet atij. E megjithatë, asgjë konkrete nuk ka. Mallakastriotët mund të hedhin sytë edhe në Vlorë apo dhe kryeqytet për të gjetur trajnerin e sezonit të ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"