Një formacion me afrime, Besa e transformuar/ Golat tashmë priten nga… Afrika

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 28, 2022 | 23:26

Një formacion me afrime, Besa e transformuar/ Golat tashmë priten nga… Afrika

Besa është transformuar. Ekipi i këtij sezoni nuk i ngjan aspak atij të vjetrit. Janë plot 8 afrime deri në këtë pikë të merkatos dhe ndryshimet janë të pashmangshme. Kavajasit kanë 8 vite larg elitës dhe ëndërrojnë që ky të jetë i fundit. Kategoria e Parë do të jetë “zjarr”, por në klub e kanë marrë këtë sfidë përsipër.

BESA STERVITJE

Nuk kanë në plan që të dorëzohen pa luftuar fillimisht. E thënë troç: misioni mbetet ngjitja. Hapi i parë ishte emërimi i një eksperti në stol. Gugash Magani pranoi që të merrte “timonin” dhe si kusht vendosi përforcimin e grupit dhe rikthimin në shtëpi. Nëse i pari është realizuar deri diku, tek i dyti kanë ngecur. Verdhezinjtë do të vazhdojnë të enden ku të munden, në mungesë të një stadiumi.

FORMACIONI

Falë merkatos, tashmë verdhezinjtë kanë një tjetër “fytyrë”. Nga futbollistët titullarë, të cilët u drejtuan vjet nga Dorian Bubeqi, kanë rezistuar vetëm portieri Ilir Dobjani, mbrojtësit Skerdian Perja dhe mesfushori Henri Solovari. Po flasim për ata që kanë qenë kryesisht në 11- she, pasi pjesë e organikës janë shumë të rinj që kanë marrë minuta dhe mund të konsiderohen alternativa cilësore.

besa

Afrimet e shumta kanë bërë të rikompozohen thuajse tri repartet, përveç portës. Në katërkëndor mbetet Ilir Dobjani, që vendosi të qëndronte në Kavajë. Referuar prurjeve të kësaj vere, mbrojtja është riformatuar e tëra. Në krahun e djathtë do të luajnë një mes Skerdian Perjes e Shaqir Jugut dhe majtas është Joni Nurja, ndërsa në qendër Endri Reçi me Gresti Myzeqarin (ky i fundit ishte edhe vjet).

Po ashtu, edhe mesfusha ku ka mbijetuar vetëm Sulovari. Nëse deri tani ishte i huazuar, tashmë Besa e ka marrë me letra. 19- vjeçari ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare.

besa2

Për të kompletuar këtë sektor janë tri prurjet e reja: Xheron Osma që vjen nga Shkumbini, Enes Kuka prej Tiranës dhe Aleandro Daka i Egnatias. Sulmi gjithashtu është ndërruar i tëri. Në vend të dyshes së larguar Edmond Hoxha dhe Flavio Meçja, tashmë kanë ardhur Çinonso Onuh dhe Frenkli Ntepe. Golat priten pikërisht prej afrikanëve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"