“Një finale e vogël për ne”, Agim Canaj: Lushnja ime e ndal Erzenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2022 | 10:42

“Një finale e vogël për ne”, Agim Canaj: Lushnja ime e ndal Erzenin

Trajneri i Lushnjës, Agim Canaj, deklaroi për “Panorama Sport” se skuadra e tij duhet të bëjë më të mirë para një skuadre të investuar për Superioren, siç është Erzeni.

AGIM CANAJ

“Gjithmonë, kur vjen fundi i kampionatit, çdo gjë vështirësohet dhe kjo ka shumë rëndësi për momentin. Alternativat e vetme janë që të marrim pikët, për të qenë të qetë.

Nuk e di se çfarë mund të bëjë kundërshtari, megjithatë ne po përgatitemi sipas planeve tona për këtë ndeshje. E dimë që kemi vështirësi, sepse Erzeni është një skuadër e investuar për në Superiore.

Vështirësinë e dimë, por asnjë kundërshtar nuk e kemi frikë. I kemi parë të gjitha skuadrat në aktivitet. Ajo që ka më shumë rëndësi është që ana jonë psikologjike të jetë e qetë.

Të luajmë në 90 minuta, atë që dimë të bëjmë më mirë. Nëse do të bëjmë mirë, ne do të arrijmë atje ku duhet”, deklaroi fillimisht trajneri Canaj.

MUNGESAT – Tekniku vlonjat i Lushnjës ka në dispozicion të njëjtin grup lojtarësh që pati një javë më parë, kur fitoi 2-0 në “Roza Haxhiu” ndaj Burrelit. Mungesat e Moqit, Xhymertit dhe Alillarit janë të rikonfirmuara.

“Jemi munduar gjatë gjithë kohës t’i fusim të gjithë lojtarët në punë, që të jenë të gatshëm. Praktika ime është që gjithmonë t’i mbajmë lojtarët afër dhe në tonus.

Tashmë kemi pesë ndërrime. Çdo gjë mund të bëhet nga fillimi, por mund të bëhet edhe nga stoli. Ne jemi munduar që çdo gjë, gjatë gjithë kësaj jave, ta vëmë në tonus për këtë ndeshje.

Është një finale e vogël për ne, duke pasur përballë një nga ekipet më të mira të Kategorisë së Parë, që është me një këmbë në Superiore”, u shpreh trajneri Agim Canaj.

ERZENI – Tekniku verdhejeshil tha se Lushnja duhet të dalë në pah për të frenuar një skuadër transfertash, si Erzeni.

“Ne kemi punuar duke e parë kundërshtarin dhe forcën që ne kemi. Duhet të vëmë në pah forcën tonë sulmuese, aty ku kemi pasur edhe defektet tona.

Humbim shumë raste të pastra dhe kjo është ana negative. Të jemi sa më konkretë para portës. E di që do t’ia dalim, por të jemi konkretë. T’i mbyllim sa më shumë hapësirat, sepse Erzeni ka sulmues të mirë, si dhe e ka treguar veten gjatë gjithë kampionatit, ka marrë edhe shumë fitore jashtë fushës”, përfundoi trajneri i Lushnjës, Agim Canaj.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"