Një elbasanas sfidon verdheblutë në derbi: Mezi po e pres këtë takim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2020 | 0:05

Një elbasanas sfidon verdheblutë në derbi: Mezi po e pres këtë takim

Turbina është gati për derbin e së shtunës me Elbasanin. Sulmuesi shtatlartë i cërrikasve, Jurgen Peqini, pika kyçe e repartit të avancuar, sfidon ish-ekipin e tij, duke premtuar një tjetër gol. Peqini do të përpiqet t’i shënojë ekipit të vendlindjes së tij, ashtu siç bëri në takimin e fazës së dytë, kur i dha tri pikët Turbinës.

jurgen-peqini

“Mezi po e pres këtë takim, që do të jetë një tjetër finale mbijetese për Turbinën. Trajneri Vladimir Gjoni po e përgatit këtë derbi ashtu siç duhet dhe besojmë shumë se do të fitojmë. Shpresoj shumë se do të shënoj sërish”, tha shkurt sulmuesi elbasanas për “Panorama Sport”.

Cërrikasit, pas fitores së javës së kaluar me Orikun, janë më shumë se kurrë të karikuar për të vazhduar me rezultate pozitive. Ata e dinë shumë mirë se ky derbi është vendimtar për qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe nuk mund ta humbin kurrsesi. Turbina është “e uritur” dhe do kërkojë një tjetër trepikësh, që do ta largonte nga zona e ftohtë e renditjes.

MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"