“Një dentist shqiptar kërkoi të paguante banketin nga gëzimi”, Ali Lulolli: Në Vjenë donim të shihnim shpatën e Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2020 | 15:47

“Një dentist shqiptar kërkoi të paguante banketin nga gëzimi”, Ali Lulolli: Në Vjenë donim të shihnim shpatën e Skënderbeut

UVIL ZAJMI

Ka qenë 19 vjeç, luante me Dinamon, por kryente shërbimin ushtarak te Partizani bashkë me Panon, Bytyçin, Sharofin, Bingën, lojtarë të 17 Nëntorit e Dinamos. “Ndodhesha në Pashaliman e pas 15 ditësh shtabi dha urdhër. U ktheva në Tiranë, fillova grumbullimin me Partizanin”, rrëfen Lulolli për “Panorama Sport”.

Petrit Murzaku

Përgatiteshit për në Austri, por a është e vërtetë që patët problem edhe me veshjet?

Nisja bëhej nga aeroporti i vjetër. Drejtuesit e klubit ishin të interesuar si ishim veshur. Dikush me beretë, kasketë, një tjetër me borsalinë, sigurisht me ato mundësi financiare të një familjeje të zakonshme. Do udhëtonim me Malevin, linja Tiranë-Budapest-Bratislavë. U zgjodh Bratislava, si më afër kufirit austriak.

A qëndruat gjatë në Bratislavë?

Tri ditë qëndruam aty. Për fatin tonë, Masar Aga gjatë një turneu kishte njohur dhe ruante miqësi me një lojtar të skuadrës së Bratislavës, i cili kishte kaluar pushimet me të në plazh në Shqipëri. Masari e takoi dhe i kërkoi atij të na siguronin një palestër, ku bëmë stërvitje. Pastaj me tren nga Bratislava drejt Vjenës, ku na pritën e na sistemuan në një hotel modest, jo luksoz. Stërvitjen e bëmë te fusha ku do luanim.

Si kaluat në Vjenë?

Para takimit, drejtuesve të klubit vendës ne i shfaqëm dëshirën të shihnim shpatën e Skënderbeut. Ata u interesuan, u munduan, por ajo nuk ndodhej në atë muze. Për arsyet e tyre e kishin spostuar përkohësisht në një muze tjetër, kështu që nuk e pamë, por patëm një surprizë tjetër…

Çfarë surprize?

Për të na kënaqur na çuan në një ekspozitë të artit figurativ, shumë e bukur. Edhe pse jashtë orarit, e hapën vetëm për ne. Unë me Sharofin dolëm pak më shpejt dhe u ulëm jashtë te shkallët e tij, në pritje të grupit. Pak lëvizje kishte në rrugë, kur na afrohet një burrë i gjatë me veshje luksoze, elegant, me borsalinë. “Urdhëroni”, i thamë në shqip, ndonëse kishim marrë udhëzime për të qenë të kujdesshëm në komunikim me të huajt.

Ali Lulolli

Dhe si reagoi ai, kush ishte?

“Jam dentist, – na tha në shqip. – Kam mbaruar në Austri shkollën pas lufte dhe qëndrova këtu”. Gruan e kishte fizikante. E pamë që u gëzua dhe na pyeti kur e kishim ndeshjen. Duke qëndruar me të, vjen ekipi dhe trajneri Maçi, që hezitoi pasi na pa me të. Pastaj e njohu dhe më pas na informoi se ai person ishte nga familja Pobrati. Ai erdhi në ndeshje dhe kur mbaroi banketi që ata kishin përgatitur, i kërkoi ta paguante për të na nderuar.

U kthyet sërish duke udhëtuar nga Bratislava, apo jo?

Ajo linjë edhe në kthim, por në Bratislavë qëndrimi u zgjat pasi kishte problem me avionët, pasi ai ishte aeroport dytësor. Na pritën sërish miqtë e Masarit që u morën me akomodim, stërvitje dhe përcjelle. Kujtoj që kur zbritëm në Tiranë, kishin dalë zyrtarë të sportit, të Ministrisë së Mbrojtjes. U bë edhe një koktej. Fitorja atje ishte eveniment i rëndësishëm dhe sfida me francezët pritej me shumë interes, shpresa për kualifikim ishte e madhe. Por, ajo nuk u zhvillua.

Lulolli, a mund të thuhet se ai ishte një brez me volejbollistë të jashtëzakonshëm?

Po, ai ka qenë një brez i shkëlqyer. Unë kam një karrierë te Partizani-Dinamo-Kombëtare dhe mund të them se në fushë ishim rivalë, por shumë miq e shokë jashtë saj. Fatkeqësisht, mjaft prej tyre janë ndarë nga jeta.

LEXO EDHE: 

“Na eliminuan me hile”, ish-lojtari i Partizanit: Ndaj francezëve na u bë një padrejtësi e madhe

Kualifikimet historike, kur Partizanit ia bënin me hile francezët

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"