Një dekadë që nuk luanin me Tërbunin, Baze kujton golin: Këtë Lushnjë nuk e shoh në grupin e pretendentëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 14:40

Një dekadë që nuk luanin me Tërbunin, Baze kujton golin: Këtë Lushnjë nuk e shoh në grupin e pretendentëve

Si rezultat i ribashkimit të grupeve, këtë kampionat Lushnja do të përballet sërish me Tërbunin. Për herë të fundit me këtë kundërshtar kanë luajtur në “Roza Haxhiu”, konkretisht më 12 mars 2011. Lushnjarët e patën fituar 1- 0 me gol të shënuar nga Okeljan Baze. Ish-mesfushori për “Panorama Sport” kujton atë ndeshje dhe nuk ngurron që të analizojë startin e verdhejeshilëve.

okeljan BAZE LUSHNJA

“Humbja në Maliq ishte e papritur për Lushnjën. Besoj se ekipi do të reagojë këtë javë me Tërbunin dhe ajo që shqetëson më shumë është shënimi i golave.

Vjet shënoi shumë pak gola, ndërsa sivjet nuk i shënon dot Maliqit debutues edhe kur loja është 0-2. Mendoj se ekipi kishte nevojë për të paktën 3-4 afrime shumë cilësore. Lushnja çdo vit ka të njëjtin buxhet, por ka pësuar ndryshime në organikë. Ne dikur kishim në ofensivë emra si Sefa, Canka, Pepa, Mezini, Branica dhe kuota të kënaqshme. Unë këtë Lushnjë nuk e shoh në grupin e pretendentëve.

Është një ekip që mund të shkojë deri në mesin e tabelës. Ndeshja me Tërbunin është e vështirë. Unë kam luajtur me Tërbunin dhe është një klub që investon për skuadrën. Parashikoj një ndeshje të fortë dhe të bukur. Mendoj që Lushnja do të jetë më e karikuar për fitore, sepse vjen nga një humbje e papritur me Maliqin. Kjo do t’i motivojë më shumë çunat”, përfundoi ish-lojtari i Lushnjës, Tërbunit, Egnatias, Butrintit dhe Kamzës.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"