Një dekadë në Mynih, Riberi tregon momentin më të bukur te Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2017 | 17:14

Një dekadë në Mynih, Riberi tregon momentin më të bukur te Bajerni

Sulmuesi francez i skuadrës së kampionëve gjermanë, Frank Riberi, feston 10-vjetorin e mbërritjes së tij në klubin gjerman. Më 7 qershor të vitit 2007, ai u prezantua zyrtarisht si një prej sulmuesve më të rinj të Bajernit, së bashku me Luka Tonin.

Riberi

Më datën 3 korrik, Riberi është stërvitur për herë të parë me gjermanët, ndërsa sot ai është 34 vjeç dhe rikujton fillimet e tij me bavarezët gjatë një interviste.

Franck Ribery of Bayern Munich awaits the trophy presentation

Si jeni ndier kur familja ju ka dhënë tortën e 10-vjetorit me Bajern?

Ka qenë një surprizë mjaft e bukur. Kam ardhur në shtëpi dhe nuk e kam ditur se çfarë po ndodhte. Isha shumë i lumtur, pasi fëmijët e mi dhe bashkëshortja janë gjërat më të rëndësishme për mua. Ata gjithmonë kanë qenë në anën time edhe në raste kur gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhej.

A jeni krenarë për këto 10 vite në Mynih?

Familja ime është mjaft e lumtur këtu. Ata e pëlqejnë shumë Bavarinë dhe njerëzit në Mynih. 10 vite… Është çmenduri! Nuk e kishim menduar kurrë se do të qëndronim për kaq shumë që prej momentit kur mbërritëm. Tanimë Riberi dhe Bajerni janë kthyer në një çift (qesh).

Cilat janë ato kujtime që ju kanë mbetur ende nga fillimet te Bajern?

Festimi i tre titujve në vitin 2013 në ballkonin e Bashkisë së Mynihut. Më parë kemi humbur në dy finale të Champions Ligës, çdokush e ka vuajtur. Pas fitores së këtij titulli, atmosfera kur iu dhuruam fansave trofeun ka mbetur një prej gjërave më të bukura në historinë time te Bajerni.

Jeni mjaft i njohur edhe për rrengjet që keni bërë me skuadrën, cilin prej tyre do të veçonit?

Momenti që kemi lagur me ujë nga çatia Oliver Khanin. Ky ka qenë edhe fundi i sezonit tim të parë me kampionët gjermanë.

A e keni menduar se si mund të reagonte?

Kur kam ardhur për herë të parë në Mynih nga skuadra e Marsejës, kam pasur respekt të madh për Oliver Khanin. Ai ka qenë një prej personaliteteve më të mëdha dhe një legjendë e Bavarisë. Por ai është gjithashtu tepër i qetë dhe një mik mjaft i mirë.

A keni pasur bashkëpunëtorë në këto rrengje?

“Shumë madje: David Alaba, Rafinja, Daniel van Bojten, por të gjitha këto rrengje, ndonëse nga unë ose dikush tjetër kanë qenë gjithmonë diçka pozitive për humorin e skuadrës. Tanimë nuk i bëj më si më parë, por nëse jam në humor të mirë, mund ta vësh re në kabinë ose në fushën e blertë.

Cilat janë përshtypjet e para nga skuadra bavareze?

“Menjëherë që prej ardhjes sime këtu e kuptova se do të kisha të bëja me një nivel komplet ndryshe. Klubi ka qenë shumë mirë i organizuar dhe është kujdesur mjaft për mua dhe familjen time. Jam ndier gjithmonë rehat edhe në rastet kur komunikimi përbënte problem, pasi nuk kam folur gjermanisht në fillimet e mia.

Kur e kuptuat se kjo marrëdhënie me Bajernin ishte e veçantë?

Ka ndodhur mjaft shpejt. Pas dy ose tre muajve, unë dhe skuadra kemi qenë si një i vetëm, gjë e cila është treguar qartë edhe në fushën e lojës.

Përgatiti: ANTON LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"