Një brazilian, pasuesi i Pejiçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2015 | 19:05

Një brazilian, pasuesi i Pejiçit

mateus limaDrejtuesit e klubit të Kukësit nuk kanë humbur kohë, ndërsa kanë gjetur zëvendësuesin e bomberit kroat. Kështu, sulmuesi Mateus Lima Cruz do të jetë pasuesi i Pero Pejiçit. Burime pranë klubit verilindor kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje me ish-sulmuesin e Skënderbeut dhe pritet që ai t’u bashkohet sot nënkampionëve të Shqipërisë.

Gazeta ka zbuluar se Lima ka ditë që zhvillon negociata me krerët kuksianë, madje ka dalë edhe një ditë në stërvitje me Kukësin në Pezë Helmes, pikërisht menjëherë pas ditës që u largua nga Bylisi. 22-vjeçari brazilian, nga sa mësohet, pritet të firmosë sot për një sezon me Kukësin dhe do të federohet për ndeshjen e së enjtes ndaj Legias. Lima do të gjejë një koloni brazilianësh në ekip, si Flores, Moreira, Karioka, Birungueta, Xheferson, Juliano, me në krye trajnerin Marcelo Troisi.

Nga Skënderbeu te Kukësi…

Mateus Lima erdhi në kampionatin shqiptar nga ekipi Operario Paranaense, skuadër që është shpallur kampione këtë sezon në Serinë B braziliane. Ai ka lindur më 18 janar të vitit 1993 dhe klubi i tij i parë është Gremio Barueri në Ligën e Dytë braziliane. Më pas ka luajtur për skuadrat e njohura, si Sport Recife dhe Luverdense. Bëhet fjalë për një sulmues të ri që është përfolur shumë, por aftësitë e tij vihen në dyshim. Kjo pasi dy klubet shqiptare, si Skënderbeu, dhe Bylisi, nuk e kanë mbajtur.

Lima iu bashkua korçarëve në “Tropikal Resort” dhe më pas ka udhëtuar me ekipin drejt Austrisë, vend ky ku kampionët e Shqipërisë zhvilluan fazën përgatitore. Pas kthimit u bë e qartë se sulmuesi brazilian Lima, edhe pse ishte autor i golit në fitoren e korçarëve ndaj rumunëve të Botosanit, nuk do të bënte pjesë në planet e korçarëve. Hapësirat dhe nevojat për te kjo skuadër u ngushtuan së tepërmi, veçanërisht pas afrimit të sulmuesit të Kombëtares, Hamdi Salihi, dhe bullgarit Hristov. Edhe pse drejtuesit e Skënderbeut patën deklaruar se Lima ka firmosur me klubin, rezulton se ai është i lirë. Korçarët nuk i kanë ofruar kontratë, duke e larguar atë. Më pas, braziliani u testua për disa ditë te Bylisi, por edhe atje nuk bindi. Drejtuesit e larguan menjëherë pas ndeshjes miqësore me Flamurtarin. Tashmë duket se do të jetë e treta e vërteta për lojtarin, ndërsa pritet të federohet për ndeshjen e së enjtes ndaj Legias së Varshavës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"