Një brazilian karikon Elbasanin para derbit: Çdo pikë e humbur mund të rezultojë fatale, ja i bindur që …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 19:34

Një brazilian karikon Elbasanin para derbit: Çdo pikë e humbur mund të rezultojë fatale, ja i bindur që …

Elbasani ka përpara derbin me Turbinën dhe këtë fundjavë nuk i falet kurrsesi të gabojë. Është një ndeshje vendimtare për verdheblutë, për pozitat që ata kanë në klasifikim aktualisht. 

Elbasani

Presin në “Elbasan Arena” një rival direkt dhe një fitore e mundshme i largon nga vendi i fundit në Grupin B, duke shtuar kështu shanset e qëndrimit në Kategorinë e Parë. Në të kundërt, një humbje e mundshme do ta largonte Elbasanin nga kjo kategori shumë javë para mbylljes së kampionatit. Për këtë arsye, në kampin verdheblu e kanë marrë seriozisht derbin dhe shpresojnë të marrin tri pikët.

Optimist për fitore shfaqet në një prononcim për “Panorama Sport” mesfushori brazilian, Abner, sipas të cilit, forca e ekipit do të duket ndaj rivalëve direkt, siç është edhe Turbina. “Elbasani ndodhet në pozita të tilla, ku i bëjnë punë vetëm tri pikët. Për më tepër që jemi skuadër pritëse dhe përballë kemi një rival direkt, ku çdo pikë e humbur mund të rezultojë fatale në objektivin e sezonit.

Ndaj Turbinës jemi të mobilizuar për të marrë fitoren, edhe pse bëhet fjalë për një derbi dhe një kundërshtar jo të lehtë. Pozitat që mbajmë në klasifikim na detyrojnë që në të gjitha ndeshjet e mbetura të luajmë për të marrë maksimumin. Jam i bindur se skuadra në fund do të qëndrojë në Kategorinë e Parë dhe forcën tonë do ta tregojmë që këtë javë”, u shpreh braziliani i Elbasanit, i cili i jep zemër skuadrës verdheblu në prag të derbit me Turbinën.

Vladimir Mema – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"