Një brazilian del në stërvitje me Erzenin, kryebashkiaku u përgjigjet tiozëve për Fernandinjon: Drejtuesit po hedhin nga buka e fëmijëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2022 | 23:58

Një brazilian del në stërvitje me Erzenin, kryebashkiaku u përgjigjet tiozëve për Fernandinjon: Drejtuesit po hedhin nga buka e fëmijëve

Alan Kalberge Leite Rodrigues. Ky është emri i plotë i mesfushorit brazilian që ka dalë dje në stërvitje me Erzenin. “Panorama Sport” mëson se lojtari 24-vjeçar do të shikohet disa ditë nga stafi teknik dhe më pas do të vendoset. Bëhet fjalë për një mesfushor shkatërrues, i cili ka luajtur në disa skuadra braziliane së fundmi, pikërisht me Sousa EC, Passo Fundo, Monte Azul, Marilia dhe Paysandu.

Erzeni

FERNANDINJO – Pati një situatë të paqartë për mesfushorin brazilian, Fernando Armando dos Santos (Fernandinjo), por më në fund ai ka firmosur për Erzenin. Prej tri javësh 27-vjeçari është pjesë e shijakasve në stërvitje dhe nga klubi mësohet se dje është zyrtarizuar kontrata. Ditët e fundit ka pasur zëra se ka kërkuar largimin, madje duke synuar të transferohet te Bylisi i Ballshit. Fernandinjo është një mesfushor krahu që ka spikatur në miqësoret e deritanishme, ndërsa me Tiranën u aktivizua si zëvendësues.

Ai vjen pas një sezoni në ligat e ulëta të Greqisë me Ethnikos Pireun, ndërsa ka luajtur edhe në Portugali. Për çështjen e lojtarit ka reaguar së fundmi në rrjetet sociale edhe vetë kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana, duke iu përgjigjur ankesave të tifozëve për një largim të mundshëm të Fernandinjo. “Kur një lojtar të vendos kushte, çfarë duhet të bëjmë? T’i lutemi mos ik? Nuk është turp të vendosësh zemrën për ekipin. Turp është kur të gjithë duan të bëjnë trajnerin apo drejtuesin, të cilët po hedhin nga buka e fëmijëve të tyre”, ka thënë Arbana.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"