Një “bomber” nga mesfusha, Arbër Basha tregon Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2021 | 21:54

Një “bomber” nga mesfusha, Arbër Basha tregon Kastriotin

Arbër Basha po kalon një moment të mirë dhe këtë e ka treguar në fushën e lojës nga ndeshja në ndeshje. Mesfushori i Kastriotit dhe deri pak kohë më parë i Kombëtares Shpresa ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet e zhvilluara këtë sezon duke arritur të shënojë edhe dy gola. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari tregon për atmosferën në skuadër pas fitores së fundit me Skënderbeun, ndërsa flet edhe për ndeshjen e së shtunës me Laçin, por jo vetëm.

kastrioti

 

Sa e rëndësishme ishte fitorja me Skënderbeun në këtë moment që po kalonte Kastrioti?
Pa diskutim që fitorja e fundit ishte shumë e rëndësishme për ekipin dhe që do të na ndihmojë shumë, sidomos nga ana morale, pas atij ngërçi dhe rezultateve të dobëta që patëm ndeshjet e para.

Zhvilluat një lojë të mirë si grup, por edhe ju në aspektin personal. E kishit menduar kaq të lehtë?
E kishim përgatitur në mënyrë perfekte këtë ndeshje dhe e gjithë skuadra luajti mirë. Gjithashtu edhe personalisht jam i kënaqur me lojën dhe sidomos golin, por rëndësi kanë 3 pikët. Loja jonë po vjen në ngritje nga ndeshja në ndeshje. Nuk mund të them se kundërshtari ishte i dobët, pasi ka në përbërje shumë lojtarë të rinj, por ne e kishim përgatitur shumë mirë ndeshjen, ndaj edhe arritëm ta fitonim, pasi nuk i lamë asnjë hapësirë Skënderbeut.

Po luani më të avancuar se zakonisht duke spikatur edhe si shënues në këtë fillim sezoni. Si po ndiheni në pozicionin e ri?
Po ambientohem shumë mirë, pozicioni bën të mundur që të jem më afër me portën dhe si rrjedhojë e këtij roli kanë ardhur dhe golat. Pa dyshim, goli është ndjesi e papërshkrueshme. Kam pritur gjatë për këto ditë dhe shpresoj që të shënoj sa më shumë, ndonëse jam mesfushor.

Keni qenë dhe vjet pjesë e skuadrës, por duke ditur që Kastrioti ka ndryshuar shumë, si e shikoni ekipin këtë sezon. Deri ku mund të shkojë?
Për të qenë me këmbë në tokë, objektivi ynë kryesor është qëndrimi në kategori. Kemi lojtarë me cilësi, por edhe të rinj premtues. Aktualisht skuadra ka ardhur në formë, ndërsa harmonia në ekip është e mirë. Shpresojmë tani të kemi rezultate sa më pozitive në vazhdim.

Në fundjavë luani sërish në fushën tuaj, teksa prisni Laçin. Si e shihni këtë përballje?
Shpresoj të na ndihmojë faktori fushë, edhe pse jemi koshientë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Laçi vjen nga një situatë jo e mirë që ne mund ta shfrytëzojmë. Mbetet për t’u parë çfarë do të prodhojë fusha, pasi ne do të luftojmë për tri pikët.

Në aspektin personal, çfarë synoni këtë sezon?
Jam në një pikë të karrierës ku po fitoj eksperiencë që do të më ndihmojë në të ardhmen. Kastrioti dhe kampionati ynë është një mundësi shumë e mirë. Përveç minutazhit synoj dhe pse jo të arrij që të ndihmoj skuadrën duke shënuar. Megjithatë, kryesorja është si fillim t’i arrijmë objektivat e klubit.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"