Një “bomber” nga mbrojtja për Besëlidhjan, Gjikolaj: Nuk do ta lë me kaq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2022 | 23:35

Një “bomber” nga mbrojtja për Besëlidhjan, Gjikolaj: Nuk do ta lë me kaq

Besëlidhja po përgatitet seriozisht për Maliqin, ndeshje që do të zhvillohet këtë të shtunë në Lezhë. Ndonëse në letër duket e kalueshme, në ekip askush nuk po e trajton si të tillë. Këtë e thotë qendërmbrojtësi Redinel Gjikolaj, autor i 3 golave deri më tani.

Gjikolaj

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai flet edhe shanset që kanë për të kapur elitën. “Faza e parë e sezonit për ne kishte shumë ulje-ngritje, çka na gozhdoi në zonën e pasigurisë deri në fillim të fazës së dytë. Duke qenë se u formatua një ekip thuajse i ri, rënia e nivelit ishte e pritshme, por jo kaq gjatë.

Gjithsesi, këto javët e fundit ia dolëm që të fitonim brenda dhe jashtë fushës sonë, duke e lënë përfundimisht, besoj, zonën e ftohtë. Teksa rregullat e kampionatit për këtë pjesë të mbetur kanë ndryshuar, ne jemi në kohë për t’u bërë pjesë e zonës ‘play off’. Vetëm 4 pikë larg saj jemi dhe kemi në lojë edhe 6 ndeshje. Kjo jo vetëm që na stimulon oreksin për të tentuar shansin e madh të ngjitjes, por më kryesorja është se na mban realisht jashtë rrezikut për rënien. Të mbash veshur fanellën e Besëlidhjes është një përgjegjësi e madhe, pasi ka një peshë të rëndë historike. Deri tani kam shënuar 3 gola dhe besoj se deri në mbyllje të sezonit nuk do ta lë me kaq.

Tani në radhë kemi ndeshjen ndaj Maliqit, që duhet ta fitojmë. Sfidat e mbetura do t’i konsiderojmë si finale dhe kjo do të na ngjiste ndoshta deri te vendi i pestë, që të jep mundësinë për të tentuar elitën”, përfundoi 21-vjeçari.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"