Një bomber nga mbrojtja, Bicaj tregon “sekretin” te Teuta: E zëvendësoj unë Latifin po mungoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2018 | 17:04

Një bomber nga mbrojtja, Bicaj tregon “sekretin” te Teuta: E zëvendësoj unë Latifin po mungoi

Tre gola në 11 javë kampionat për një qendërmbrojtës është një ecuri fantastike. Dhe të mendosh që ka shënuar në dy fitore shumë të rëndësishme të Teutës. Ditmar Bicaj po kalon një moment të shkëlqyer me durrsakët dhe kjo periudhë uron të vazhdojë sa më gjatë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, lezhjani tregon “sekretin” e suksesit, flet për golat, raportin me trajnerin Shkëmbi, por jo vetëm.

bicaj teuta

E besonit se Teuta mund të kishte këtë ecuri pas 11 javësh?

Jam afruar te Teuta me shumë kënaqësi dhe dëshirë, që të jepja më të mirën, pasi kisha mbështetjen e stafit drejtues. Jam shumë i kënaqur me ecurinë e deritanishme dhe dëshiroj shumë që këtë moment të mirë që po kalojmë, ta kemi sa më gjatë në kampionat.

Përmbysët Tiranën me dy gola, në një ndeshje ku Teuta nuk bëri ndonjë lojë bindëse. Cili ishte mesazhi më i bukur që keni marrë pas ndeshjes?

Së pari, ishte e veçantë për një mbrojtës qendre që të shënojë dy gola, aq më tepër kur ndeshja ishte në disavantazh dhe golat ia bën një kundërshtari si Tirana, që është ekipi më i titulluar në Shqipëri. Sa i përket lojës, unë jam më shumë pro pikëve sesa lojës së bukur. Ka pasur raste që kemi zhvilluar lojëra shumë të mira, por nuk kemi marrë pikët. Batuta pas ndeshjes më kanë bërë të gjithë, por më e veçanta ka qenë se po më thonë përse nuk kalon sulmues. Gjithsesi, po u dëmtua Latif Amadu, profesori e ka gati alternativën.

Fakti që do të bëheni baba, ju ka dhënë një motiv më shumë. Është sekreti i formës që po kaloni?

Sigurisht që është një ndjenjë e veçantë dhe ndihem shumë mirë. Kam më shumë motivim, sidomos tani që jemi në pritje dita-ditës të ardhjes në jetë të fëmijës. Pra, e quaj këtë moment kaq të mirë meritë e këtij fakti.

Si është e vërteta e përplasjes me Osmanin pas humbjes në Gjirokastër?

(qesh). Unë me Tefikun njihem shumë herët dhe kam koefidenca, por çdo diskutim që bëhet në fushë, mbetet aty. Ai është kapiteni i ekipit dhe përveçse e kam shok, e respektoj edhe si kapiten. Janë gjëra aq të vogla për ne, saqë as nuk i mbajmë mend, pasi mbaron ndeshja.

Çfarë ju bën përshtypje te Shkëmbi si trajner, duke qenë se keni luajtur bashkë disa vite…?

Edhe kur ishte futbollist, Bledi ka qenë një trajner në fushë. Ka qenë me të vërtetë një kapiten dhe e mbante skuadrën të bashkuar në momentet më të vështira. Të njëjtën gjë e bën edhe sot. Është një trajner që u beson shumë lojtarëve të rinj dhe kërkon futbollin e bukur. Personalisht, edhe kur kemi luajtur bashkë te Skënderbeu, por edhe tani që është trajneri im, unë kam shënuar gola. Siç duket, profesori ma di armën e fortë. Cila është skuadra që ju ka befasuar këtë vit? Partizani më ka befasuar, sepse nuk ka bërë shumë bujë në merkato, por po rezulton efikas me këtë lloj strategjie.

A. Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"