Një Berishë për Kukësin, nga të huajt mbetet vetëm… Basha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2022 | 21:43

Një Berishë për Kukësin, nga të huajt mbetet vetëm… Basha

Te Kukësi kanë nisur të lakohen emrat e parë sa u përket afrimeve të mundshme, teksa deri më tani janë zyrtarizuar vetëm largime. Lojtari që mund t’u bashkohet verilindorëve është Jakup Berisha. 22-vjeçari dhe klubi kanë qenë në kontakte të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe dhe burime të “Panorama Sport” tregojnë se palët janë shumë afër zyrtarizimit, ndërsa kanë mbetur edhe disa detaje për ta konkretizuar marrëveshjen.

Jakup-Berisha

Shqiptari i Maqedonisë së Veriut në sezonin e fundit ka qenë pjesë e skuadrës së Pelisterit në kampionatin maqedonas, ku u aktivizua në 31 takime, por pa arritur të shënojë. Berisha është një sulmues krahu, që më së shumti luan në të djathtë dhe shihet ndër të tjera edhe si një element i perspektivës në kampin verilindor. Klubi po diskuton detajet e fundit dhe dëshiron që t’i bëjë një kontratë të paktën 2-vjeçare, pasi shpreson që në të ardhmen të ketë edhe mundësi përfitimi nëse bën një sezon cilësor në kampionatin shqiptar.

LARGIMET – Duket se largimet do të jenë në masë në kampin verilindor, teksa deri më tani janë zyrtarizuar plot shtatë të tillë. Shumë janë në mëdyshje, pasi u ka mbaruar kontrata dhe pritet vetëm zyrtarizmi i largimit. Emra si Hila, Musta dhe De Lukas u larguan pa ardhur ende Gega. Për t’u pasuar me Xhikën, Markun dhe Feizhaon që është shitur, ndërsa dyshja e qendrës Pëllumbi-Lulaj janë thuajse të larguar, edhe pse për këtë të fundit po bëhet çmos për ta mbajtur edhe këtë sezon.

E njëjta situatë edhe me Shkurtajn dhe Dragoshin që praktikisht janë larguar, duke bërë që deri më tani të jenë dhjetë lojtarë në total. Sakaq, burime të gazetës pohojnë se jashtë planeve të klubit mund të konsiderohen edhe lojtarët e tjerë të huaj si Puntus, Milunoviç dhe Kërniç. E njëjta gjë edhe me kosovarin Kreshnik Bahtiri. I vetmi që mund të rezistojë është golashënuesi kroat, Edi Basha, i cili ka edhe një vit kontratë me klubin dhe gjasat janë që të vazhdojë.

ZËVENDËSUESIT – Duke parë që disa të larguar janë lojtarë që nuk kanë mbajtur peshë të madhe këtë sezon, pasi kanë pasur shumë pak hapësira, klubi ka menduar që t’i zgjidhë brenda shtëpisë boshllëqet që do të lënë.

Do të rikthehen nga huazimi te Teuta lojtarë si Klejdi Daci dhe Ergys Peposhi, si edhe pritet të afrohen edhe futbollistë nga akademia, për të plotësuar në këtë mënyrë edhe grupin e lojtarëve që i duhen Gegës për të përballuar sezonin. Për largimet e titullarëve do të bëhet merkato cilësore, por gjithçka do të shikohet në vazhdimësi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"