Nisin skarcimet te Flamurtari, 4 titullarë nuk grumbullohen ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2018 | 15:20

Nisin skarcimet te Flamurtari, 4 titullarë nuk grumbullohen ndaj Kukësit

Flamurtari është 90 minuta larg ndryshimeve të mëdha. Në Vlorë nuk ka garanci se çfarë do të ndodhë me lojtarët, pasi ende nuk ka pasur asnjë akord për rinovim. Pas ndeshjes së sotme me Kukësin, futbollistët do të marrin “valixhet” dhe do të largohen. Pjesës më të madhe të tyre i përfundojnë kontratat në mbyllje të këtij muaji. Bushiç, Nurkoviç, Bicaj, Siljanovski, Veliu, Musta, Pollozhani e Useini, nuk kanë kontratë për sezonin e ardhshëm.

flamurtari

Drejtuesit e klubit nuk janë ulur me asnjërin prej tyre për të diskutuar për sezonin e ardhshëm. Të kontaktuar nga “Panorama Sport”, lojtarët e sipërpërmendur shprehen se nuk e kanë vendosur të ardhmen, pasi nuk janë kontaktuar ende nga klubi për rinovimin.

Lojtarët gjithashtu theksuan se në këto kushte janë duke parë edhe për alternativa të tjera, pasi nuk u mungojnë ofertat nga klubet e tjera. “Nuk na ka komunikuar asnjë nga drejtuesit nëse do të qëndrojmë apo do të largohemi. Në fund të muajit na përfundon kontrata.

Jemi të lirë. Nuk na kanë munguar ofertat, por do të shikojmë se çfarë planesh ka Flamurtari. Të kalojmë më sukses ndeshjen e fundit me Kukësin dhe më pas do të flasim për të ardhmen, kemi kohë”, janë shprehur disa prej tyre të kontaktuar nga gazeta.

flamurtari

DILEMAT – Vonesat e nisjes së rinovimeve mësohet se lidhen me disa dilema që kanë drejtuesit e klubit. Këta të fundit janë shprehur se do të ruajnë grupin aktual në masën 70-80%, por gjasat janë që të ketë edhe largime të shumta dhe riformatim nga e para të ekipit. Duke qenë se pjesa më e madhe e lojtarëve janë sjellë nga ishtrajneri Shpëtim Duro, gjasat janë që ata të largohen. Asnjë nuk e ka të sigurt.

As ata që në fund të muajit nuk kanë më kontratat, po as ata që janë nënkontratë dhe firmosën në janar. Drejtuesit janë të pakënaqur me pjesën më të madhe të futbollistëve, të cilët nuk arritën asnjë objektiv këtë sezon. Kupat e Europës dhe Kupa e Shqipërisë ishin objektivat e klubit, por rrugës ekipi doli nga ‘shinat’ dhe dështoi totalisht. Në këto kushte asnjë nuk e ka vendin të sigurt për sezonin e ardhshëm.

Flamurtari-470x3131-470x313

NDESHJA – Sot luhen 90 minutat e fundit të një sezoni të dështuar për Flamurtarin. Kuqezinjtë e mbyllin në transfertë, por katër lojtarë nuk janë grumbulluar për ndeshjen e sotme. Ditmar Bicaj, Artmir Pollozhani, Viktor Xhufo dhe Igor Nedjelkoviç, nuk udhëtuan dje me ekipin dhe janë lënë jashtë për ndeshjen e sotme.

Trajneri Behari u ka komunikuar vendimin lojtarëve me arsyetimin se lihen jashtë listës për shkak se do t’u jepet mundësia për t’u aktivizuar të rinjve vlonjatë. Gjithsesi, mësohet se ky vendim ka sjellë qej mbetje te lojtarët, të cilët me sa duket nuk janë më në planet e klubit për sezonin e ri.

ERMAL SIKA

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"