Nisin largimet te Egnatia, Artur Magani premton gola të tjerë: Duhet të vinin më herët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2021 | 17:39

Nisin largimet te Egnatia, Artur Magani premton gola të tjerë: Duhet të vinin më herët

Pas të huajve Uros Djuriç, Arsenio Valport dhe Kris Gadi, largimi i radhës nga Egnatia është mesfushori Glejdis Ndraxhi. Ishte vetë klubi rrogozhinas që gjatë së shtunës konfirmoi prishjen e kontratës me 23-vjeçarin nga Durrësi. “Faleminderit Glejdis Ndraxhi. KF Egnatia njofton se ka ndërprerë kontratën me mesfushorin Glejdi Ndraxhi, i cili ishte pjesë e skuadrës në 6 muajt e fundit.

magani

Stafi falënderon Ndraxhin për kontributin e dhënë, duke i uruar suksese në karrierë”, citohej ndër të tjera në njoftimin e klubit. Ai luajti vetëm 40 minuta në total, teksa u aktivizua në 5 ndeshje si zëvendësues. “Panorama Sport” mëson se listës së largimeve pritet t’i shtohen të tjerë lojtarë që kanë pasur pak minuta në pjesën e parë këtij sezoni. Një prej tyre është edhe qendërmbrojtësi Mario Teqja, por që në ditët në vijim klubi do të konfirmojë gjithçka pasi të gjejë marrëveshjet.

SULMUESI – Artur Magani shpërtheu me një dygolësh në javën e 15-të, duke i dhënë tri pikë të arta skuadrës rrogozhinase kundër Teutës. Sulmuesi peqinas ka qenë i pafat në fillim të këtij sezoni, pasi është dëmtuar shpesh. “Jam shumë i lumtur që shënova pas një mungese të gjatë. Kemi qenë në një moment të vështirë, por të bashkuar ia dolëm të rikthehemi aty ku duhet. Ashtu si unë dhe skuadra kishim besim se do të riktheheshim te fitoret. Golat duhet të vinin më herët, por rëndësi ka që u thye tersi. Ua dedikoj shokëve të skuadrës dopietën, pasi kaluam vërtet një moment të vështirë bashkë”, ka thënë fillimisht Magani në një bisedë për “Panorama Sport”.

Sulmuesi foli edhe për vazhdimësinë e sezonit, teksa shpreson të vazhdojë të shënojë rregullisht. “Ndjehem mirë tek Egnatia. Kam bërë zgjedhjen e duhur dhe jam shumë i kënaqur. Që nga stafi, tifozët dhe presidenti na kanë dhënë mbështetje në rrugëtimin tonë. Jemi të gjithë për një qëllim. Si profesionist besoj se jam në klubin e duhur që të jap gjithçka kam. Unë do të bëj gjithçka për të shënuar sa më shumë, në mënyrë që Egnatia të arrijë objektivat”, përfundoi sulmuesi 27-vjeçar.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"