Nisin largimet nga skuadra që siguroi ngjitjen në Superiore, mesfushori ikën në… Greqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2022 | 14:42

Nisin largimet nga skuadra që siguroi ngjitjen në Superiore, mesfushori ikën në… Greqi

Bylisi e finalizoi në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin në Kategorinë e Parë, ku nga fillimi deri në fund ballshiotët nuk e vunë në diskutim arritjen e objektivit madhor, rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.

carkanji buylis

Por pas mbarimit të sezonit, në kampin mallakastriot kanë nisur edhe lëvizjet e para, kryesisht sa u përket largimeve. Xhoi Carkanji nuk është më pjesë e skuadrës së Bylisit.

Mesfushori me tipare sulmuese mbylli sezonin e dytë në Ballsh dhe pritet që të largohet drejt Greqisë, ku ka edhe familjen. 27-vjeçari shënoi dy gola në Superiore me Bylisin në sezonin e parë me ballshiotët, si dhe 1 gol në Kategorinë e Parë.

Carkanji luajti si titullar vetëm në pjesën e parë të sezonit që sapo u mbyll, sepse në pjesën e dytë të garës pati mbipopullim dhe konkurrencë në fazën sulmuese, ku klubi u dha dorë elementëve të rinj.

Carkanji ka falënderuar klubin e presidencën dhe është ndarë në mënyrën më të mirë të mundshme me Bylisin.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale, 27-vjeçari ka zyrtarizuar divorcin me Bylisin. Ja mesazhi i lamtumirës i Xhoi Carkanjit me ballshiotët:

“Falënderime për qytetin e Ballshit dhe Bylisin! Pas 2 vitesh të mbushura me sfida, emocione, vështirësi, por edhe momente magjike, erdhi momenti t’i them lamtumirë ekipit të Bylisit.

Ky ekip më dha mundësinë të luaj në Kategorinë Superiore, në superligën e vendlindjes sime. Falënderoj presidentin Kapllanaj për bashkëpunimin dhe besimin e dhënë, trajnerët Dovedan dhe Beqiri, si dhe bashkëlojtarët e mi në këto dy vite, pa harruar tifozërinë me mbështetjen e saj të vazhdueshme. Uroj të dëgjoj vetëm të mira për ju! Suksese Bylis”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"