Nisën stërvitje të parët, por te Luftëtari ankohen për… përgatitjen fizike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 20:32

Nisën stërvitje të parët, por te Luftëtari ankohen për… përgatitjen fizike

Luftëtari është ekipi i parë i Kategorisë Superiore që ka zbritur në fushë më herët, pikërisht që më 6 qershor, kur dhe nisi përgatitjet për Ligën e Europës. Mirëpo, në vend që skuadra të kishte kulmin e formës dhe për më tepër përgatitjes fizike në muajin shtator, duket se po ndodh e kundërta. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Teutës, paçka se rezultati ishte 3-0 në favor, dukshëm lojtarët shfaqën shenja lodhjeje.

Vetë futbollistët e Luftëtarit, të kontaktuar nga “Panorama Sport”, pavarësisht se nuk duan të fajësojnë stafin e mëparshëm, konfirmojnë se përgatitja e tyre fizike nuk është maksimale. Luftëtari bëri një fazë përgatitore në Slloveni për dy javë në muajin korrik, por pas eliminimit nga Europa, ekipi pushoi disa ditë dhe u rikthye në stërvitje, duke mos marrë sërish ngarkesë.

luftetari mezani

Në sezonin e kaluar Luftëtari ishte i fundit që nisi stërvitjen dhe falë programit të përgatitësi atletik, Kosta Kolcidhas, e mori shpejt formën. Mirëpo, me sa duket, këtë herë është bërë një programim i gabuar. Gjithsesi, stafi aktual do të mundohet të rikuperojë sa të mundet, në mënyrë që skuadra të mos shfaqë më probleme në ndeshjet e radhës. Dje trajneri Gentian Mezani zhvilloi një analizë me skuadrën. “Mos konsumoni energji kot, por qëndroni pranë njëri-tjetrit, kur kundërshtari është në zotërim të topit”, u tha ndër të tjera vlonjati lojtarëve bluzi.

SITUATA – Luftëtari nisi stërvitjen dje në orën 16:00 në fushën sportive “Lefter Millo” të fshatit Dervician. Të gjithë futbollistët ishin nën urdhrat e Mezanit dhe pasi kanë kryer ushtrimet e zakonshme aerobike dhe atletike, janë përqendruar në lojën me top. “Bashkë fituam një ndeshje, asgjë më shumë. Kjo ishte për meritë të të gjithëve, por të tjera sfida na presin me qëllim bashkëpunimi të gjatë dhe sa më shumë të jetë e mundur. Ju dhatë gjithçka në fushë dhe unë u falënderoj për këtë, por akoma ka vend për të korrigjuar. Ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të vështira, duke filluar nga e radhës me Kukësin”, u ka thënë ndër të tjera trajneri futbollistëve të Luftëtarit.

RROCA – I vetmi lojtar që është stërvitur veçmas grupit ishte Eduard Rroca. Rikuperimi i mesfushorit është duke shkuar brenda pritshmërive. Edhe ndeshjen e radhës pritet që fantazisti të mungojë, ndërsa më pas të rikthehet ndaj Kamzës, për të marrë minutat e para për këtë sezon. Për fat të mirë, pas javës së 7-të ndërpritet kampionati dhe për Rrocën, kjo periudhë është në favor, pasi nuk do të humbë shumë sfida.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"