Nis të dridhet stoli i Lopeteguit, 15 ditë ferri për Realin e Madridit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2018 | 15:44

Nis të dridhet stoli i Lopeteguit, 15 ditë ferri për Realin e Madridit

Këtë të shtunë, Reali i Madridit nis një tur force. Do të luajë 5 ndeshje në 15 ditë, të cilat do të vendosin jo vetëm fatin e sezonit për skuadrën, por mbi të gjitha fatin e trajnerit Hulen Lopetegui. Zërat për një largim të mundshëm të tij bëhen më të besueshëm, ndërsa ai ka për detyrë që ta rikthejë skuadrën te rezultatet pozitive. Nuk ka kohë për të humbur, nuk ka kohë për shaka. Janë 15 ditë serioze, 15 ditë intensive, stërvitjeje dhe ndeshje.

Lopetegui

Janë 15 ditë ferri, ku tekniku madrilen “dridhet” për të ardhmen. Do ta nisë këtë rrugëtim të shtunën kundër Levantes në orën 13:00. Këto ndeshje do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij, edhe pse presidenti Perez duket se i ka lënë kohë deri në datën 28 tetor, kur në “Camp Nou” do të përballet me Barcelonën. Por sigurisht, ai shpëton nëse nuk humbet asnjë nga katër ndeshjet e mëparshme, të cilat në letër duken të lehta.

ndesh

Përpara se të vizitojë “Camp Nou”-n, Reali do të luajë të martën në datën 23 në Ligën e Kampionëve kundër Viktoria Plen, rivali më i dobët i grupit dhe viktima e preferuar për të dalë nga kriza e golave. Pas humbjes me CSKA-në, çdo rezultat tjetër nëse nuk është fitore komplikon situatën e skuadrës dhe të Lopeteguit.

real88

Por nuk përfundon këtu. Pas Barcelonës, Reali do të nisë rrugëtimin e tij në “Kupën e Mbretit”. Ndoshta këtu do të ketë pak frymëmarrje, sepse do të jetë një rival i dorës së dytë dhe trajneri mund t’u japë më shumë hapësirë lojtarëve që s’janë aktivizuar ose atyre të akademisë. Ky cikël prej 5 ndeshjesh do të përfundojë ndaj Vajadolidit në “Bernabeu” në datën 3 nëntor. Hulen Lopetegui shpreson që të jetë i ulur në stol dhe të shikojë Realin duke bërë një performancë të mirë. Gjithçka do të varet nga gjendja e grupit, dëmtimet dhe rikuperimi i futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës madrilene.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"