Nis rrethi i 79-të Çiklistik, Ylber Sefa triumfon në etapën e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 10:25

Nis rrethi i 79-të Çiklistik, Ylber Sefa triumfon në etapën e parë

Rrethi i 79-të Çiklistik i Shqipërisë ka ngritur dje siparin me etapën e parë me itinerar Tiranë-Elbasan-Korçë (161 km). Siç e do tradita, gjithçka startoi gjatë paradites me ceremoninë në sheshin “Nenë Tereza”. Në këtë edicion marrin pjesë 12 skuadra, 3 shqiptare dhe 9 të huaja, të përbëra nga 72 çiklistë, ndërsa distanca totale e aktivitetit është 728 km.

Ylber Sefa, pas triumfit në etapën e parë Tiranë-Korçë FOTO: F. HAZISLLARI

Ylber Sefa, pas triumfit në etapën e parë Tiranë-Korçë
FOTO: F. HAZISLLARI

Eventi startoi nga kryeqyteti, me sportistët që provuan të mos lejonin shkëputjen. Por diferenca u bë në Qafë-Thanë, nga një grup prej 30 çiklistësh. Mes tyre spikatën Ylber Sefa, rumuni Cristian Raileanu, Mikel Demiri dhe britaniku Archie Cross. Ishin pikërisht këta sportistë që luftuan rrotë më rrotë deri në fund. Por në sprintin final më i shpejti rezultoi Sefa, teksa lideri i ekipit tonë kombëtar e preu i pari finishin me kohën e përgjithshme 3:51:05, e pas tij u klasifikuan Raileanu dhe Demiri, një tjetër çiklist premtues i Shqipërisë, i cili jeton dhe stërvitet në Itali. Ndërsa bashkë me grupin, i katërti e preu finishin Cross. Më tej, me një diferencë prej më shumë se 2 minutash mbërriti grupi i dytë me mbi 20 çiklistë.

Kështu, etapa e parë e Rrethit të 79-të flet shqip, me Ylber Sefën që rrëmben fanellën e verdhë të liderit. Ndërsa Mikel Demiri ishte fitues i finishit të malit dhe mbajtës i fanellës së të riut më të mirë. Në fund u zhvillua edhe ceremonia tradicionale, teksa presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, shpërndau fanellat për fituesit në podium, duke falënderuar gjithashtu edhe Policinë e Shtetit për mbarëvajtjen e aktivitetit.

gara

Turi i Shqipërisë do të vijojë sot me etapën e dytë me itinerar Korçë-Maliq-Korçë-Elbasan, ku pritet një tjetër garë e bukur. Kujtojmë se Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është zhvilluar për herë të parë në shtatorin e vitit 1925 me një gjatësi prej 1300 km. Për nga vjetërsia e tij, ky event renditet i treti në Europë, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"