Nis rikonstruksioni i stadiumit “Roza Haxhiu”, kryebashkiakja e Lushnjes: Ja plani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2021 | 23:46

Nis rikonstruksioni i stadiumit “Roza Haxhiu”, kryebashkiakja e Lushnjes: Ja plani

Eriselda Sefa zbarkon në “Roza Haxhiu”. Kryebashkiakja ishte dje në ambientet e stadiumit, për të inspektuar punimet. Nuk ishte e vetme ama, pasi në krah qëndronte Taulant Balla. Deputeti i PS-së, për Qarkun Fier, për mediat premtoi se nuk do të mungojë as mbështetja nga ana qeverisë për Lushnjën. Kryetarja teksa foli për investimet në infrastrukturë, sqaroi situatën për stolin e mbetur bosh.

LUSHNJA

“Qytetarët e Lushnjës janë të lidhur ngushtë me futbollin dhe lajm i mirë është se do të fillojë rikonstruksioni i stadiumit. Ky tapet do të ndryshojë, si dhe do të ndërtohen tri fusha. Njëra do të bëhet me bar natyral dhe dy me tapet artificial. Kjo do t’i vijë në ndihmë ekipit të parë dhe ekipeve të akademisë, në mënyrë që tradita dhe historia e futbollit të Lushnjës të kthehet përsëri. Do të rregullohen këto fusha me baltë, falë dhe një vendimi të marrë nga FSHF-ja.

Kështu që, në bashkëfinancim me Bashkinë e Lushnjës do të kemi veç tapetit të stadiumit edhe tri fusha. Futbolli do të vazhdojë të jetë ende në varësi të bashkisë dhe shpresojmë që rezultatet e ekipit në fazën e dytë të jenë më të mira. Qytetarëve të Lushnjës t’u kthejmë atë traditë dhe historik që ka pasur Lushnja.

Trajneri i ri? Kur të kemi një emër konkret, do ta zyrtarizojmë”. Sakaq, e mërkura është dita e fundit e stërvitjes për vitin 2021. Seancat vazhdojnë të drejtohen prej Mikel Spahos, që u komandua nga kryebashkiakja. “Me seancën e sotme, e mbyllim stërvitjen dhe ekipi do të marrë pushimet. Do të zbresim në fushë më 5 janar. Unë nuk jam alternativë për të drejtuar ekipin. Kam vetëm licencën e trajnerit të portierëve. Jam i komanduar derisa të caktohet trajneri i ri”, tha kapiteni.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"