Nis revolucioni te Flamurtari, kush rinovon 30% më pak rrogë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 13:38

Nis revolucioni te Flamurtari, kush rinovon 30% më pak rrogë

Drejtuesit e Flamurtarit janë duke menduar për sezonin e ri futbollistik, ku do të ketë një revolucion total. Vlonjatët do ta nisin gjithçka nga sulmi, pasi prej këtej erdhën edhe problematikat dhe dështimi në fund, pa përjashtuar nga përgjegjësia as repartet e tjerë.

flamurtari

Edhe pse kanë pasur në përbërje dy sulmues me emër, si Danilo Alvesh dhe Tomislav Bushiç, ata nuk patën rendiment dhe reparti i avancuar i vlonjatëve renditet te më të dobëtit. Madje, shuma e pagës që këta lojtarë merrnin në muaj ishte e konsiderueshme. “Panorama Sport” zbulon se lojtari më i paguar ishte Danilo Alvesh. Braziliani përfitonte 10 mijë euro në muaj. I dyti më i paguar te Flamurtari ishte Tomislav Bushiç, që kishte edhe shiritin e kapitenit në krah dhe paguhej 8 mijë euro në muaj.

Strategjia – Flamurtari pritet të ndryshojë strategjinë për sezonin e ri. Bëhet fjalë për politikën financiare. Klubi në strategjinë e re parashikon që të ulë pagën për lojtarët që mund të rinovojnë për shkak të dështimit dhe daljes nga objektivat. Burimet bëjnë me dije se kontratat për ata që do të vazhdojnë me skuadrën, përfshi këtu Bushiçin apo Alveshin, do të kenë një pagë 20-30% më të ulët.

flamurtari

Largimet – Shumë lojtarë pritet që të largohen, disa për mospëlqim të klubit dhe të tjerë për shkak të ofertave që kanë nga klube të tjerë. I pari i larguar mund të thuhet se është Ditmar Bicaj. Mbrojtësi ka ofertë nga klubi Zira i Azerbajxhanit. Të tjerë lojtarë që janë drejt largimit deri më tani, konfirmohet edhe pse jo zyrtarisht se janë Bushiç, Veliu, Nedljekoviç, Zuka, Kamara, edhe Tunkara. Të gjithë ata nuk e kanë të sigurt rinovimin.

Problemet – Vlonjatët vijojnë të jenë pa drejtues dhe pa trajner, pasi administratori Sinan Idrizi ka shkarkuar nga stafi teknik ata drejtues për shkak se nuk e kanë justifikuar dhe se nuk ka asnjë tolerim për daljen nga objektivat. Deri më tani gjërat janë pezull edhe për çështjen e trajnerit.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"