Nis kampionati i 80-të, ja risitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2018 | 12:23

Nis kampionati i 80-të, ja risitë

Sot nis kampionati i 80-të i futbollit. Kategoria Superiore merr udhë nga qyteti i skuadrës kampione në fuqi, e cila mes shumë ndryshimesh që i kanë ndodhur në organikë, do të tentojë të ruajë fronin. Me sytë nga KAS-i për pjesëmarrjet në kompeticionet europiane, të drejtuar nga Shehi, korçarët do të provojnë që të qëndrojnë mes ekipeve më të mira. “Jemi pretendentët kryesorë për titull”, deklaroi Takaj për “Panorama Sport”, ndërkohë që festonte Superkupën e Shqipërisë. Krahas bardhekuqve, çfarë presim tjetër nga ky edicion?

Kategoria-Superiore-2018

KATEGORIA SUPERIORE

Në fakt, nuk është lënë vend për të pretenduar shumë gjëra pozitive. Mjaft të përmendet fakti që 20% e klubeve elitare në vend do të luajnë jashtë qyteteve të tyre dhe kjo e zbeh panoramën e pritshmërisë që në start. Sezoni i ri futbollistik, për fat të futbollit shqiptar, nis me skuadrën më të titulluar që është rikthyer, por pa emra si Vllaznia që ra në edicionin e shkuar dhe kur gjysma e Shqipërisë nuk merr pjesë në elitë prej vitesh. Për të ardhur keq…

Një tjetër risi që lë shteg për dyshime është largimi i forcave të rendit nga shkallët e stadiumit. Ekziston një ligj i ri që e përcakton detyrimin e stjuartëve në shkallët e impianteve, por nuk është saktësuar asgjë se çfarë do të ndodhë në kategoritë e ulëta në krahasim me elitën dhe sa të aftë do të jenë stjuartët shqiptarë për të përballuar tifozëritë e konsideruara “problematike”. E nëse një sezon më parë, xhaketat e zeza ishin në qendër të stuhisë së akuzave dhe etiketimeve nga të gjitha anët, këtë edicion ndryshimi i bërë është ai i dizenjatorit, por jo i rregulloreve apo edhe i standardeve që do të ndiqen për gjyqtarët. Në orën 19:45, nga Korça do të vërshëllejë starti i Superiores dhe mbetet vetëm të urojmë… vullnet të fortë për të respektuar rregulloret dhe për të ruajtur standarde të unifikuara përgjatë gjithë sezonit.

pikante

TË HUAJT, PEZULL

Starti i edicionit është paraprirë nga një mbledhje maratonë e Komitetit Ekzekutiv. Për afro katër orë, nga ora 11:05-15:00, qeveria e futbollit shqiptar ka shqyrtuar ndër të tjera edhe kërkesën e klubeve për të rritur numrin e të huajve në pesë të tillë. Me një “driblim” juridik, Komiteti Ekzekutiv e ka kthyer topin pas në Komisionin e Garave, nga i cili kërkon hartimin e një dokumenti të detajuar rreth kësaj çështjeje. Duke mos harruar që sezoni i ri nis sot dhe që merkato përfundon më 31 gusht, atëherë nënkuptohet se gjithçka ka të bëjë me këtë kërkesë, do të shërbejë vetëm për edicionin e ardhshëm.

“Në lidhje me propozimin e klubeve për numrin e futbollistëve të huaj në fushë, KE vendosi që: Komisioni i garave të hartojë një raport të zgjeruar dhe të argumentuar për ndryshimin e numrit të lojtarëve të huaj që aktivizohen në kampionatin kombëtar”, ka vendosur KE, e publikuar në vendimin numër katër të publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se presidenti Duka ka vendosur “veton” në lidhje me këtë çështje. Nisur nga fakti që shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë nuk konsiderohen “të huaj”, atëherë për rritjen e numrit të të huajve në pesë (nga katër që lejohen aktualisht) ka kërkuar që të rishikohet në hollësi nga Komisioni i Garave.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"