Nis “era Mema”, trajneri i ri vjen me ndryshime tek Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2018 | 18:58

Nis “era Mema”, trajneri i ri vjen me ndryshime tek Tirana

“Era” Ardian Mema do të sjellë ndryshime të mëdha te Tirana. Që në stërvitjen e dytë, te bardheblutë ndryshon filozofia e punës, por edhe formacioni i titullarëve që mendon të hedhë në fushën e lojës trajneri i ri i skuadrës së Tiranës. Ajo që u pa qartë në ndeshjen e djeshme me të rinjtë bardheblu tregon qartë se të gjithë nuk e kanë vendin të sigurt në ekip, por nga ana tjetër Tirana pritet të bëhet më shqiptare ose të paktën kjo u pa dje në fushën e lojës.

tirana

Formacioni – Revolucion i vërtetë ka qenë ai i formacionit të Ardian Memës. Një skuadër, e cila ka ndryshuar plotësisht nga ekipi i Ze Marias. Kështu, Mema ka vendosur të provojë Hoxhallarin si qendërmbrojtës, me Kërçikun djathtas, ndërsa Imami ka luajtur në të majtë. Në formacionin titullar edhe Greca e Kobina, ndërsa mesfusha ishte e përbërë nga treshja Daja-Karabeci-Hasani. Sulmi iu besua Blazhevskit, por që në fund luajti shumë pak për shkak dëmtimi. Dukej qartë se si stili i lojës, por edhe formacioni iu besua lojtarëve ekspertë të kampionatit shqiptar për të garantuar më shumë stabilitet në lojë. Hoxhallari në pozicionin e ri që mendon trajneri u mundua të bënte mirë. Në pjesën e dytë u provua një skuadër ndryshe, por edhe me mesfushë eksperimentale ku luante sër- ‘ ish Hoxhallari.

Të huajt – Ajo që ra në sy nga takimi i djeshëm ishte se shumica e lojtarëve të huaj kanë qëndruar në stol. Duke filluar nga Atinga, deri te Ngoja, pothuajse të gjithë të huajt nuk kanë luajtur titullarë. Përjashtim bënin vetëm Dejan Blazhevski dhe Uinful Kobina, të cilët ndeshjen e djeshme e nisën si titullarë, sinjal ky që lojtarët e merkatos, duhet të djersitin që të luajnë nga minuta e parë te Tirana.

Rezultati – Për statistikë ndeshja e djeshme u fitua nga bardheblutë me rezultatin 3- 0, me golat e Halilit, Kobinës dhe Ngosë. Ra në sy paraqitja e mirë që bëri, Grent Halili në majën e sulmit, gjatë pjesës së parë ku shënoi edhe gol. Majkëll Ngoja dhe Junus Sentamu në pjesën e dytë shpërdoruan shumë raste për gol, për meritë të portierit Kodra, i cili në disa raste u tregua vendimtar, që skuadra e tij të mos pësonte shumë gola. Prezantimi – Edhe dje Ardian Mema nuk ka folur për median. Zyrtarisht, prezantimi i trajnerit do të bëhet ditën e hënë dhe për këtë klubi ka vendosur veton. Ndërkaq, pritet që të zbardhen edhe detajet e kontratës së Ardian Memës me Tiranën, i cili pritet të ketë një bashkëpunim sezonal me të drejtë zgjatjeje. Gjithsesi, gjithçka do të zbulohet në ditët në vazhdim. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, ishte i pranishëm në miqësoren me 19-vjeçarët.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"