Nikolli, një atlet shqiptar synon Lojërat Olimpike në Tokio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 23:07

Nikolli, një atlet shqiptar synon Lojërat Olimpike në Tokio

Shqipëria shumë shpejt pritet të ketë sërish emrin e saj në zonën e medaljeve në Kampionatin Europian të Atletikës, që zhvillohet vitin e ardhshëm në Berlin të Gjermanisë. David Nikolli, i riu nga Lezha që deri më tani ka arritur të fitojë një ballkaniadë, por edhe të përmirësojë disa rekorde kombëtare, ka një objektiv madhor: Të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të vitit 2020, që zhvillohen në Tokio.

david nikolli

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Nikolli ka treguar aktivitetin e tij, duke u shprehur: “Fillimisht kam marrë pjesë në garat maratonë 21 kilometra në Itali me flamurin shqiptar, ku kam arritur të fitoj edhe garën në qytetin e Pavias, e cila ishte shumë e rëndë- sishme, pasi kishte rreth 6 mijë konkurrues. Kam vazhduar të stërvitem në bazë të mundësive me trajnerin tim italian. Që nga ai moment, e kam parë që po rritesha dhe kam marrë pjesë në garën 3 mijë metra në salla të mbyllura duke thyer rekordin e vitit 1990 në Shqipëri, e kam përmirësuar me 7 sekonda.

Ndërsa në qershor kam marrë pjesë në garën 1500 metra ku theva një tjetër rekord shqiptar, që e kam ulur me 3 minuta e 47 sekonda. Kam marrë pjesë gjithashtu në ballkaniadë, ku brenda 5 ditëve ka ndodhur gjithçka dhe kam fituar medaljen e arit po me flamurin shqiptar”, ka thënë Nikolli, i cili ka marrë pjesë edhe në Maratonën e Tiranës.

“Në momentin që kam marrë vesh se ishte kjo garë, vendosa ta provoj dhe mora pjesë duke vendosur rekordin e ri shqiptar, të cilin gjithashtu e përmirësova”, ka thënë Nikolli.

Objektivat – “Kam si synim që të marr pjesë në Kampionatin Europian që zhvillohet në gusht të vitit 2018 në Berlin të Gjermanisë, ku duhet të kapësh normën e kualifikimit fillimisht dhe unë jam i sigurt se do ta arrij. Gjithashtu, objektivi më madhor janë Lojërat Olimpike në Tokio në vitin 2020”, ka vazhduar Nikolli deklaratën e tij.

Ndërkohë që Federata e Atletikës ka qenë ajo që e ka ftuar fillimisht atletin të marrë pjesë në ballkaniadë dhe shpresohet që në vijim ai të ketë një mbështetje më të madhe. Nikolli aktualisht stërvitet në Itali, ku prej një muaji ka nisur të stërvitet dy herë në ditë, duke iu përkushtuar këtij sporti dhe mbështetja në drejtim të tij për të realizuar objektivin pritet të jetë e madhe si nga ana e federatës së linjës, ashtu edhe nga Ministria e Kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"