“Niko Dovana” do të bëhet me tapet të ri/ Teuta ndërron fushën, ja cila pritet të jetë “shtëpia” provizore e durrsakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 14:38

“Niko Dovana” do të bëhet me tapet të ri/ Teuta ndërron fushën, ja cila pritet të jetë “shtëpia” provizore e durrsakëve

Fusha e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës do të bëhet nga e para. Më në fund është marrë vendimi për heqjen e tapetit aktual dhe jo rimbjellen e tij, siç edhe është bërë thuajse çdo vit.

243279398_1014765852619180_741736499380509640_n (1)

Foto nga punimet që po kryhen në fushën e stadiumit “Niko Dovana”

Puna në stadiumin ku luajnë kampionët në fuqi të Shqipërisë ka nisur që të martën dhe “Panorama Sport” ka arritur të fiksojë momente nga heqja e tapetit.

Pasi u vëzhgua me hollësi nga disa specialistë vendës dhe të huaj, u ra dakord që bari aktual i fushës nuk jep garanci. Kësisoj, punëtorët nisën heqjen e tapetit të vjetër, në mënyrë që t’u hapet rruga punimeve për vendosjen e fushës së re, që sipas burimeve në klub, pritet të jetë një nga më cilësoret.

242923675_237184088371972_3197848910564611334_n (1)

Gjatë kësaj periudhe të gjitha aktivitetet zyrtare të planifikuara në fushën e futbollit të stadiumit “Niko Dovana” nuk do të zhvillohen, por do të gjenden mundësi alternative.

Stadiumi “Elbasan Arena” dhe ai i Rrogozhinës janë dy fushat ku durrsakët do të luajnë në vazhdimësi si pritës.

Ndërkohë, gjasat më të mëdha janë që tapeti i “Niko Dovanës” të jetë gati në muajin dhjetor.

Kësisoj, që prej fillimit të kampionatit dhe deri në mbarimin e punimeve, Teuta është e detyruar të luajë 3 muaj jashtë Durrësit. Natyrisht, kjo ua vështirëson shumë tifozëve.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"