Nikaj tregon arsyet e “divorcit” me Kastriotin: Kisha një ndjesi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2018 | 18:08

Nikaj tregon arsyet e “divorcit” me Kastriotin: Kisha një ndjesi…

Prej së premtes Kastrioti është pa trajner, pasi drejtuesit dhe tekniku Samuel Nikaj, i cili mbylli një sezon të suksesshëm me krutanët, duke e ngjitur skuadrën në superiore, vendosën të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre. Vetë tekniku Nikaj, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për largimin nga krutanët, planet e së ardhmes dhe rënien e Vllaznisë.

Nika

Profesor, përse nuk rinovuat me Kastriotin?

Kalova një vit fantastik në Krujë, ku pata një bashkëpunim super korrekt dhe rezultate shumë të mira. Thjesht unë jam njeri që veproj instinktivisht dhe ndjesitë nuk i kisha të mira, prandaj e pashë të arsyeshme të ndaja rrugët. Jam shumë krenar që më kontaktuan për rinovim dhe i jam mirënjohës drejtuesve që më vlerësuan.

Cila ishte pika për të cilën nuk patët dakordësi me klubin?

Nuk pati asnjë pikë që na ndau rrugët sepse gjatë gjithë vitit kemi qenë në unison në drejtimin e ekipit.

A mund të ketë një kthim pas në të ardhmen?

Jam larguar pa pishmane, pasi kam ndier ngrohtësinë e çdo qytetari krutan dhe iki me konsideratat më të mira nga Kruja. Ndarja ka qenë me një mirupafshim dhe jo me një lamtumirë. Besoj që në Krujë e kam gjithmonë një derë të hapur.

Edhe pse nuk do të jenë pjesë e projektit, si e shihni Kastriotin e sezonit të ardhshëm?

Në superiore kemi dalë katër javë para fundit dhe në bazë të bisedave me drejtuesit, planet janë që Kastrioti të jetë një Luftëtar i dytë, sepse do ta ruajnë grupin dhe do bëjnë një merkato shumë cilësore.

Në pankinën e kujt skuadre do t’ju shohim në vazhdim, pasi ofertat nuk ju kanë munguar?

Kam pasur oferta realisht dhe ndihem mirë, unë nga natyra jam njeri modest dhe nuk i kam bërë kurrë publike emrat e ekipeve që më kanë kontaktuar në respekt të kolegëve që do marrin ekipin nëse unë nuk gjej marrëveshje. Për mua e rëndësishme është që ndërmjet meje dhe ekipit të ketë njëfarë kimie, nuk ka rëndësi a është ekip i Superiores apo i Kategorisë së Parë, të Dytë apo dhe ekipe akademie. Mjafton që unë të ndihem mirë. Kam drejtuar 7 klube dhe në çdo ekip jam ndier ndryshe pavarësisht a kam pasur sukses apo jo.

Së fundi, Vllaznia ra. Cilat ishin shkaqet sipas jush dhe çfarë duhet bërë për ta ringritur sa më shpejt?

Si shkodran që jam, Vllaznia është si “ylli polar”, një pikë referimi e çdo qytetari shkodran. Ndihem shumë keq që Vllaznia do luajë në Kategorinë e Parë, por kjo situatë e turbullt te Vllaznia ka 5 vite që sillet dhe përgjegjësia është e të gjithë këtyre aktorëve ndër vite, sepse Vllaznia është keqmenaxhuar dhe përdorur si një ndërmarrje e rëndomtë, duke punësuar njerëz pa meritokraci. Ndiej keqardhje të madhe vetëm për tifozët e Vllaznisë, pasi janë të vetmit që vetëm kanë paguar bileta dhe taksa për të mbajtur Vllazninë, ndërsa unë dhe kolegët e mi, si dhe lojtarët e Vllaznisë vetëm kemi marrë nga klubi, qoftë rrogat, qoftë emrin e madh si ishlojtarë ose ish-trajnerë të ekipit. Për ta ribërë Vllazninë e madhe, duhet një president tifoz dhe largpamës sepse Shkodra është si Brazili, pasi ka super prodhim lojtarësh.

Liridon Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"